21 Shkurt, 2022 - 1:31 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Harjulla Ceku ka udhëtuar për në Preshevë që të zhvillojë një vizitë zyrtare, shkruan KultPlus.
Me të arritur aty, Çeku është pritur nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, të cilët zhvilluan edhe një konferencën për media.
Çeku premtoi në konferencë se do të ketë angazhime konkrete për të rritur mobilitetin kulturor mes institucioneve të të dyja vendeve.
“Bashkëpunimi që e kemi nis para ca kohe me takime edhe në Prishtinë, po e konfirmojmë edhe njëherë këtu. Jam shume i lumtur që si vazhdimësi e përpjekjeve të Qeverisë Kurti për ta shtyrë përpara bashkëpunimin me Luginën të kontribuojmë edhe me dimensionin bashkëpunimit kulturor. Ne i diskutuam çështjet e përbashkëta dhe jam shumë i lumtur që do të kemi angazhime konkrete për të rritur mobilitetin kulturor, bashkëpunimin kulturor mes institucioneve dhe natyrisht për ta parë edhe një dimension të bashkëpunimit në sferën e trashëgimisë kulturore si një nga elementet kryesore që nxisin edhe pjesën sociale, ekonomike”, tha Ministri i Kulturës.
Për vizitën e ministrave nga Qeveria e Kosovës në Luginë, Ardita Sinani po i sheh si diçka shumë frymëzuese e inkurajuese.
“Është jashtëzakonisht inkurajuese, frymëzuese vizitat e çdo ministri të Qeverisë së Republikës së Kosovës. po tregohet një interesim jashtëzakonisht shumë i madh kohëve të fundit për sensibilizimin e pozitës shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e Prishtinës zyrtare, sidomos vizita e Çekut na bënë që të ndjehemi më krenar dhe të gjejmë forcë për të vazhduar dhe të çojmë përpara të gjitha këto procese përpara. Kultura dhe trashëgimia kulturore janë burim i rezistencës dhe ne me këtë rezistencën tonë dhe diskriminimit të vazhdueshëm që po bëhet nga Beogradi zyrtar përmes këtyre mekanizmave duke ruajtur mekanizmat, duke ruajtur trashëgiminë, kulturën janë këto shtytje për të çuar gjitha këto përpara. Ne me ministrin biseduam përmes mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës që janë në linje buxhetore se si duhet të ndahen dhe të menaxhohen dhe t’i shpërndajmë ato mjete. Përveç simbolikës për ne është shumë e rëndësishme institucionalizimi i këtyre mjeteve, vija buxhetore e cila ka ndodhur për herë të parë përpos krahas ndihmave që janë dhënë në vazhdimësi nga gjitha qeveritë e mëparshme”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës ka bërë disa vizita zyrtare në Preshevë vitin e kaluar. /KultPlus.com