3 Mars, 2024 - 7:37 pm
Shpendët dimërues nga viti në vit shtohen duke i dhënë një dimension të ri turizmit të shpendëve në vendin tonë.
Specialistët e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin zhvilluan në janar të këtij viti Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërues.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi tha sot për ATSH-në se ” censi i vitit 2024 mbuloi 33 ligatina (lumenj, liqene, rezervuare, ekosisteme bregdetare etj) në të gjithë Shqipërinë. Për vitin 2024 në total u regjistruan 66 lloje (specie) shpendësh, me një numër total individësh prej 114,293″.
“Lloji me numër më të madh të individëve është Bajza (Fulica atra). Në Rezervatin Natyror të Menaxhuar “Liqeni Shkodrës” është evidentuar numri më i madh i shpendëve me 32,089 individë dhe 23 specie, më pas vjen Parku Kombëtar “Divjakë – Karavasta”, me 25,757 individë dhe 52 specie”, theksoi Pirushi.
“Numërimi Ndërkombëtar i Shpendëve Dimërues në Shqipëri u organizua me përfshirjen e Administratave të Zonave të Mbrojtura në të 12 qarqet me mbështetjen e ekspertëve ornitolog, specialistëve e vullnetarëve. Në cens u përfshinë 91 specialistë të AKZM-së dhe 11 ekspertë”, shtoi Pirushi.
Sipas saj, Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë, është një nga metodologjitë më cilësore mbi monitorimin e shpendëve.
Duke folur për turizmin e vrojtimit të shpendëve, Pirushi tha se “Shqipëria ka ekosisteme të larmishme natyrore, ndërkohë që moratoriumi i gjuetisë, infrastruktura dhe natyra e kanë kthyer Shqipërinë në destinacionin më të ri për adhuruesit e vrojtimit të shpendëve”.
Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë jep informacion thelbësor, i cili kontribuon në mbrojtjen dhe konservimin e shpendëve ujorë dhe të habitateve ligatinore ku ata jetojnë.
Që prej vitit 2016, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kujdeset për zhvillimin e Censit (Inventarizimi) i shpendëve ujor/dimëronjës, për të cilët çdo vit sigurohen të dhëna.
Gjithashtu prej vitit 2020, nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura zhvillohet edhe Censi i Pelikanit.
Peizazhi i larmishëm, pozicioni gjeografik, relievi i pasur, klima e favorshme në çdo stinë të vitit i kanë dhuruar Shqipërisë kushtet e përshtatshme për të zhvilluar më së miri si florën, edhe faunën në vend. Në një peizazh të tillë merr jetë një shumëllojshmëri shpendësh, të
cilët janë pasuri me vlera të mëdha dhe të pazëvendësueshme për vendin tonë.
Lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit tonë janë vendbanime të rëndësishme që ofrojnë kushtet e nevojshme veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratore.
Programi i qeverisë për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit me synim ndërmarrjen e masave parandaluese dhe ndaluese kundër shfrytëzimit pa kriter të faunës së egër, forcimin e sistemit të kontrollit dhe të parandalimit të dëmtimit si dhe rritjen e
masave ndëshkimore kundër dëmtuesve po jep efektet e tij.