Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, Pirushi: Mbrojtje habitateve natyrore dhe biodiversitetit

20 Janar, 2025 - 6:37 pm

Në të gjithë Shqipërinë u zhvillua në 18-19 janar Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, një ngjarje e rëndësishme për vlerësimin dhe monitorimin e popullatave të këtyre shpendëve gjatë dimrit.

Ky aktivitet madhor u realizua nga specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë dhe vullnetarë, të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim të jashtëzakonshëm që ka përfshirë Shqipërinë për 32 vjet me radhë.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “ky census ka një rëndësi të jashtëzakonshme për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit të Shqipërisë”.

Ajo sqaroi se realizimi i këtij censi është një proces i rregullt dhe i mirorganizuar, që ka përfshirë më shumë se 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura, duke siguruar një vlerësim të plotë të popullatave të shpendëve ujorë.

Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.

Sipas Pirushit, çdo vit vërehet një rritje e numrit të shpendëve ujorë dimërorë, një përmirësim që është ndikuar pozitivisht edhe nga moratoriumi i gjuetisë, i cili ka krijuar kushte më të favorshme për shtimin e këtyre shpendëve dhe ka forcuar ekosistemet natyrore të vendit.

Për dy ditë, specialistët dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve në 34 vendnumërime, duke mbledhur të dhëna të rëndësishme për vlerësimin e situatës në nivel kombëtar. Të dhënat, të cilat janë ende në proces organizimi, pritet të bëhen publike brenda 7 deri në 10 ditë.

Drejtoresha Pirushi theksoi gjithashtu se këto shpendë, të cilët popullojnë habitatet e zonave të mbrojtura dhe të tjera habitate natyrore të Shqipërisë, jo vetëm që kontribuojnë në ruajtjen e ekosistemeve, por luajnë një rol të jashtëzakonshëm në mirëmbajtjen e ekuilibrave ekologjikë dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në nivel kombëtar.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është pjesë e një programi global monitorimi që zhvillohet në 143 shtete të botës për të grumbulluar të dhëna mbi popullatën e shpendëve ujorë në zonat ligatinore.

Shqipëria është angazhuar në këtë nismë që prej vitit 1993 dhe ka kontribuar vazhdimisht në realizimin e censit që nga fillimi. Ky aktivitet ka një metodologji të detajuar që përfshin mbulimin e zonave gjeografike, vendnumërimet dhe poligonet e monitorimit, duke mundësuar një mbledhje shkencore të të dhënave mbi popullatën e shpendëve ujorë, e cila më pas vlerësohet në nivel ndërkombëtar.

Ky census, që është realizuar për herë të parë në vitin 1967, përbën një element kyç për menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në mbrojtjen e biodiversitetit të saj.

Ai kontribuon gjithashtu në bashkëpunimin ndërkombëtar për ruajtjen e shpendëve ujorë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke siguruar një ekosistem të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Të ngjajshme