7 Janar, 2025 - 11:35 pm
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Korçë bën të ditur se përgjatë vitit 2024 Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë dokumentoi të dhëna mbi tre lloje shpendësh, në liqenin e Prespës së Vogël.
Sipas AKZM-së, llojet e shpendëve në Parkun Kombëtar “Liqeni i Prespës së Vogël”, janë karabullaku i vogël me 56 individë, bajza me 33 individë dhe çafka e madhe e bardhë me 13 individë.
Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është një aktivitet shumë i rëndësishëm, që u zhvillua edhe në Shqipëri vitin e kaluar.
Rreth 143 shtete nga e gjithë bota realizojnë një studim kaq të rëndësishëm. Ku popullata të ndryshme të shpendëve të ujit kërkojnë skema të ndryshme monitorimi.
Regjistrimi Ndërkombëtar i shpendëve të ujit përfshinë të gjitha llojet e ligatinave natyrore dhe ato të krijuara nga njeriu, si edhe të gjithë llojet e shpendëve që hasen në këto habitate.
Për realizimin e tij kontribuan Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ekspertë dhe vullnetarë të organizatave mjedisore të cilët marrin pjesë rregullisht në këtë moment të rëndësishëm për faunën në Shqipëri.