12 Gusht, 2021 - 11:00 am
Ceremonia e Çmimeve Emmy për arritjet në televizion u zhvendos jashtë të martën për shkak të shqetësimeve pas rritjes së rasteve me koronavirus, transmeton KultPlus.
Ceremonia që do të mbahet në Los Anxhelos më 19 shtator ishte planifikuar të mbahej në ambient të mbyllur para një publiku të kufizuar.
“The television Academy dhe CBS kanë vendosur të organizojnë të gjitha ceremonitë në Deck Event në L.A. LIVE” tha The Televsion Academy në një deklaratë.
Deck Event në qendër të Los Angeles është një hapësirë e jashtme që përfshin një zonë të madhe me çadra.
Tutje në deklaratë thuhet se vendimi për zhvendosjen e ceremonisë jashtë është marrë pas diskutimeve me ekspertët e shëndetit dhe sigurisë të Qarkut Los Angeles.
Po ashtu është njoftuar se do të ketë kufizime të tjera në numrin e të ftuarve në këtë ngjarje, përfshirë ata të nominuar për çmimet më të larta.
“Fatkeqësisht, kjo do të thotë që jo të gjithë të nominuarit do të jenë në gjendje të marrin pjesë në ndarjen e çmimeve të këtij viti,” thanë organizatorët.
Los Anxhelos muajin e kaluar rivendosi mbajtjen e maskave në të gjitha mjediset e brendshme publike dhe bizneset për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve me koronavirus në qytetin e dytë më të madh në Shtetet e Bashkuara./KultPlus.com