17 Tetor, 2022 - 3:07 pm
Në kuadër të sigurimit të cilësisë në shkolla profesionale, sot janë certifikuar 22 koordinatorë për sigurim të cilësisë, 19 drejtorë të shkollave profesionale si dhe 16 trajnerë të trajnerëve, përcjellë KultPlus.
Me këtë, 1/3 e shkollave profesionale është përfshirë në procesin e përmirësimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë. Të gjithë të certifikuarit e sotëm për më shumë se 2 vite shkollore ishin të angazhuar në këtë proces.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila edhe ka njoftuar se për të realizuar këtë synim janë përkrahur nga projekti ALLED2 financuar nga BE dhe ADA dhe implementuar nga ADA.
“Qëllimi i ynë është aplikimi në mënyrë sistematike i mekanizmave për sigurim të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, ç’rast për shkollat profesionale kjo po arrihet me ndihmën e projektit ALLED2.
Përmes trajnerëve të certifikuar tani e tutje mund t’i përkrahim edhe shkollat tjera profesionale në ngritjen e cilësisë.
Falënderoj implementuesit e këtij projekti, BE-në dhe Qeverinë e Austrisë dhe të gjithë partnerët tjerë të cilët kanë kontribuar në këtë drejtim”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com