18 Dhjetor, 2021 - 10:45 pm
Nga Aurenc Bebja, Francë – 18 Dhjetor 2021
“Le Gaulois” ka botuar, të premten e 18 shkurtit 1927, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me marrëdhënien speciale të Francesco Crispi-t me Shqipërinë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Crispi dhe Shqipëria
Është e natyrshme që gazetat përpiqen të shpjegojnë dhe justifikojnë qëndrimin e Italisë ndaj Shqipërisë. Thonë se interesi që ka qeveria e Romës për situatën dhe fatin e ardhshëm të vendit të shqiptarëve (Skipétars) nuk daton nga dita e djeshme dhe citojnë fjalët e thëna më shumë se një herë nga Crispi, fjalë që përcaktojnë sigurisht linjën që Italia duhet të ndjekë në çështjen shqiptare.
Crispi u interesua për fatin e Shqipërisë edhe për një arsye tjetër, atë personale. Diktatori i parë italian i kohëve moderne, sepse edhe Crispi ishte diktator, por i një lloji të ndryshëm nga z. Musolini dhe diktatura e të cilit u shemb pas fatkeqësisë në Adoua (Abisini – Etiopie), ishte me origjinë shqiptare dhe me sa duket mburrej për këtë. Familja e tij kishte emigruar në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Shqipëria dhe ishte vendosur në Siçili. Duke folur për Shqipërinë, Crispi një herë tha këto fjalë :
“Ne kemi për detyrë të shmangim, ose të paktën të ruhemi nga çdo ndikim i huaj në këtë vend. Paprekshmëria e Shqipërisë duhet të vihet në krye të politikës sonë të jashtme. Neglizhimi i kësaj pike do të ishte ngritja e një pengese të pakapërcyeshme për të ardhmen tonë në Adriatik.”
Në ditarin e tij, Shqipëria përmendet në një bisedë që ka pasur më 26 tetor me Domenico Farini-n, asokohe President i Senatit :
“Në 1887, tha Crispi, ne ishim kundër që Austria të merrte Bosnjën dhe Hercegovinën. E parashtrova këtë mendim, në emër të qeverisë italiane, ndaj Derby-t dhe Bismarck-ut. Këta, në një marrëveshje që më bëri përshtypje të mrekullueshme, u përgjigjën : “Merreni Shqipërinë”. Sigurisht, unë u përgjigja : “Çfarë të bëjmë me të?” Dhe Derby shtoi : “Është gjithmonë një garanci”. Dhe Bismarck-u shprehu këtë mendim : “Nëse nuk ju pëlqen Shqipëria, merrni një tokë tjetër turke në Adriatik.”
Crispi vazhdon në ditarin e tij: “Më ishte i qartë kuptimi i fjalëve të dy shtetarëve, të cilët kishin motivuar refuzimin tim për t’i dhënë Austrisë Bosnje-Hercegovinën nga pikëpamja e mbrojtjes ushtarake të Italisë. Kufijtë tanë lindorë janë të hapur ndaj pushtimit të armikut dhe nëse ne përforcojmë Austrinë me territor të ri, do të përballojmë dëmin.”
***
Duke komentuar këtë deklaratë dhe opinionin e shprehur nga Derby dhe Bismarck-u, gazetat italiane thonë se nëse Crispi nuk e kishte realisht në programin e tij politik aneksimin e Shqipërisë në Itali, ai nuk do të pranonte që territori të binte nën dominimin e një fuqie tjetër. Në një nga shkrimet e tij të datës 1 maj 1900, ai shprehu idenë e tij për këtë temë :
“Kohët e fundit, tha ai, pohohet me shumë lehtësi se diplomacia vjeneze po mediton për pushtimin e Shqipërisë. Ky pohim është më i veçanti. Shqipëria nuk është sllave; është një komb me personalitetin e tij, me një gjuhë dhe zakone që të kujtojnë origjinën e tij pellazge. Në këto kushte, do të kuptonte se duke pranuar një zotim të gjatë dhe të lashtë, do të pranohej që Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj, por do të ishte një gabim shumë i rëndë ta inkorporoje atë në vendet sllave të Evropës. Pranimi për aneksimin e Shqipërisë në Austri nuk do të ishte një avantazh për këtë perandori, dhe do të ishte një dëm i pallogaritshëm për Italinë, e cila do të shihte kështu fshirjen dhe përgjithmonë të çdo gjurmë të influencës së saj mbi Adriatik.”
Dhe z. Crispi shton :
“Një ofendim i tillë ndaj arsyeve tona, të drejtave tona, të mbështetura në një traditë të lavdishme, nuk do të ndodhë. Miqësia e ngushtë dhe e përzemërt, e kultivuar gjatë pesë shekujve, e sjell Shqipërinë shumë më afër nesh sesa me Perandorinë Austriake, ku aneksimi i saj vetëm sa do të rriste mosmarrëveshjet racore dhe konfuzionin e gjuhëve.”
***
Pas Crispi-t, ishin Markezi i San Giuliano-s dhe Konti Guicciardini ata që u kujdesën shumë për Shqipërinë. Këta dy ministra – të keqkuptuar nga kryetarët e këshillit të asaj kohe që nuk kuptonin asgjë nga politika e jashtme – (flet kështu l’Idea Colaniale) bënë çmos për të rinovuar marrëdhëniet e dikurshme me Shqipërinë dhe për të vazhduar programin e Crispi-t. Gazetat italiane shtojnë se këta dy ministra me Crispi-n ishin pararendësit e depërtimit italian në Shqipëri, promotorët dhe vazhduesit e politikës shqiptare që Italia inauguroi në 1890 dhe që zoti Mussolini po zbaton sot duke miratuar paralajmërimin tradicional : “Mbani sytë nga Shqipëria”.
Robert Charlet
https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1927-cfare-mendonte-francesco-crispi-per-shqiperine/ / KultPlus.com