6 Maj, 2023 - 6:28 pm
Unë jam këtu për të shërbyer dhe jo për të më shërbyer, ishte formula rituale me të cilën iu përgjigj mbreti Charles III fëmijës së korit të Westminster Abbey që e pyeti, pasi u mirëprit për liturgjinë solemne të kurorëzimit.
Mbreti Charles III u kurorëzua sot, pas 70 viteve nga kurorëzimi i Elizabeth II, nga kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, primat i Kishës Anglikane dhe zyrtar i thirrur për të kryesuar ritin, i cili prezantoi ceremoninë fetare me një lutje të shkurtër të shoqëruar me një thirrje për vëllazërinë e krishterë, mbështetje të ndërsjellë midis besimtarëve dhe midis të gjithëve njerëz me vullnet të mirë.
Mijëra dashamirës ishin grumbulluar sot, me disa syresh që fjetën në tenda për të siguruar vendin më të mirë për të kapur një pamje të mbretit dhe mbretëreshës.
Më shumë se 2 200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, ishin sot në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charles III.
Në kurorëzimin e mbretëreshës Elizabeth II, në vitin 1953, morën pjesë më shumë se 8 200 të ftuar.
Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla u kurorëzuan në Westminster Abbey në Londër.
Udhëheqës botërorë, kryeministra, monarki të huaja dhe familja e gjerë mbretërore britanike ishin ulur brenda vendit të lashtë të adhurimit.
Nesër do të zhvillohet një koncert i madh në kështjellën Windsor.
Në koncert do të performojnë shumë artistë, si këngëtarja me famë botërore Katy Perry, Lionel Richie dhe Andrea Bocelli.
Koncerti, në të cilin do të marrin pjesë 20 mijë persona nga i gjithë vendi dhe do të ndiqet drejtpërdrejt në më shumë se 100 vende të botës, do të jetë një ngjarje publike me pjesëmarrjen e vullnetarëve nga organizata të shumta humanitare.
Këngëtari, kompozitori dhe pianisti i famshëm britanik Elton John refuzoi të performonte në koncert, duke u arsyetuar me turneun e tij jashtë vendit.
Dihet se Elton John ishte një mik shumë i ngushtë i princeshës Diana, ish-bashkëshortes së mbretit Charles III.