Check-in Fest në Gjirokastër, 3 ditë kulturë, muzikë dhe aventurë

7 Shtator, 2023 - 11:02 pm

Check-in fest në Gjirokastër do të dhurojë gjatë tri ditëve për vizitorët, por edhe për qytetarët gjirokastritë mundësinë e argëtimit dhe promovimit kulturor e të trashëgimisë përmes aktiviteteve të shumta.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale videon promovuese të këtij aktiviteti, që do të zhvillohet nga 8-10 shtator në Qafën e Pazarit.

“Rikthehet Check-In Fest në edicionin e tretë, festivalin që mirëpret të gjithë për tre ditë rresht me evente dedikuar kulturës, muzikës dhe aventurës”, tha Kumbaro.

Qyteti i Gjirokastrës do të përcjellë superenergji për 3 ditë me radhë, të mbushura me aktivitete, të cilat bashkë do t’i japin qytetit një pamje akoma më të bukur duke ftuar të gjithë për të kaluar një eksperiencë unike.

Qafa e Pazarit do të kthehet në një vend të mahnitshëm nën tingujt e muzikës, që do të performohen nga banda dhe artistë shumë të veçantë.

Një panel me studiues dhe profesionistë të fushës do të diskutojnë mbi temën: “Qyteti inovativ” dhe ofrimi i zgjidhjeve të reja që e bëjnë qytetin akoma më shumë tërheqës.

Gjueti Thesari për të gjithë ata që janë lojtarë dhe kureshtarë. Një mundësi shumë e mirë për të zbuluar qytetin, historinë dhe vendet më pikante të tij.

Pjesë e aktiviteteve do të jetë një tjetër lloj eksperience fantastike me automjetet 4×4 që do të përshkojnë rrugë të pashkelura dhe vende mbresëlënëse.

Ndërkohë që muzika elektronike do të pushtojë rrugicat unike të qytetit. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme