26 Gusht, 2020 - 11:55 pm
110-vjeçari Julio Cesar Mora Tapia dhe 104-vjeçarja Waldramina Maclovia Quinteros Reyes janë të martuar qe 79 vjet. Lidhja e tyre vetëm është forcuar me kalimin e kohës.
Bashkë kanë përjetuar gjithçka. Dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin tashmë u ka siguruar atyre titullin për çiftin më të moshuar në botë, me moshë të përbashkët prej 214 vjet e 358 ditë.
Julio Cesar u lind më 10 mars të 1910-s, ndërsa Waldramina më 16 tetor të 1915-s.
Me origjinë nga Ekuadori, çifti i ka kushtuar jetën mësimit dhe sot po e shijon pensionimin.
Lidhja e tyre nisi kur Waldramina, gjatë pushimeve të shkollës, kishte vizituar motrën e saj që jetonte në të njëjtën ndërtesë me Julio Cesarin. Ishin takuar përmes burrit të motrës së saj, që ishte kushëri i Julios.
Krijuan shoqërinë që shkoi në lidhje dashurie e që rezultoi me martesë shtatë vjet më pas. Çifti u martua në një ceremoni sekrete më 7 shkurt të 1941-s. Ishte sekrete për shkak se të afërm të tyre nuk ishin pajtuar me martesën.
Ata janë prindër të pesë fëmijëve. Edukimi i tyre besojnë se është e arritura më e madhe si çift. Djali i tyre më i madh kishte vdekur në moshën 58-vjeçare.
Sot kanë familje të madhe prej 11 nipa e mbesa, 21 stërnipa dhe nëntë fëmijë të stërnipave.
“Uniteti familjar me dashuri, respekt të ndërsjellë, punë të ndershme dhe edukatë bazuar në vlerat familjare, janë çelësi për bashkekzistencën tonë të shëndetshme”, ka thënë çifti për faqen zyrtare të rekordeve “Guinness”.
“Formula sekrete = dashuri + pjekuri + respekt i ndërsjellë”, ka thënë çifti kur është pyetur për atë që ka mbajtur gjallë lidhjen e tyre kaq gjatë.
Çifti po vazhdon të jetojë me optimizëm dhe lumturi pavarësisht sfidave dhe vështirësive gjatë përballjes me pandeminë e koronavirusit. Ata kanë shprehur shpresën se pas pandemisë do të arrijnë të ribashkohen me më të dashurit e tyre.