Çiklistët e “Giro d’Italia” vizitojnë Muzeun “Shtëpia me gjethe”

4 Mars, 2025 - 3:05 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” priti si vizitorë të tij, një grup pjesëmarrësish të Giro d’Italia, të cilët u njohën me të kaluarën diktatoriale në vendin tonë.

Në maj të këtij viti, Giro d’Italia ngre siparin për herë të parë nga Shqipëria, duke e kthyer në një epiqendër të sportit të çiklizmit në të gjithë Evropën. Muzeu “Shtëpia me Gjethe do të jetë një nga destinacionet kulturore të rekomanduara brenda aktiviteteve të shumta që do të shoqërojnë garën sportive.

Muzeu “Shtëpia me gjethe”, i hapur më 23 maj 2017, është një nga muzetë më të veçantë në Shqipëri, i cili rrëfen një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.

Është quajtur “Shtëpia me gjethe” për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj. Muzeu gjendet në qendër të Tiranës, në ndërtesën që ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.

I konceptuar në 9 seksione, muzeu përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme