Cirku Kombëtar feston 65-vjetorin me një shfaqje të veçantë

21 Dhjetor, 2024 - 4:30 pm

“Kartolinë për 65-vjetor” titullohej premiera e shfaqjes së Cirkut Kombatër ku morën pjesë prindër e fëmijë.

E organizuar me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Cirkut Kombëtar, artistët performuan për të pranishmit një sërë numrash akrobacie, shpejtësie, kënge, balet, etj.

Ministri i Ekonomisë, kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga kjo shfaqje, teksa theksoi se “kjo shfaqje erdhi si një përshëndetje për të gjithë ata që ndër vite kanë duartrokitur, ëndërruar dhe ndarë magjinë e cirkut me ne”.

“Kartolinë për 65-vjetor” do të shfaqet sot dhe nesër në orën 11:00 për të gjithë fëmijët dhe prindërit.

Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar.

Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik” Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar.

Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve./ KultPlus.com

Të ngjajshme