Clinton mbërrin në Tiranë

3 Korrik, 2023 - 3:52 pm

Presidenti i 42-të i SHBAsë Bill Clinton nisi këtë të hënë vizitën 2-ditore në Tiranë, pas ftesës së Kryeministrit Edi Rama në kuadër të festës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I shoqëruar nga delegacioni i tij, ish-Presidenti Clinton u ul në tokën shqiptare në orën 15.10 minuta, ndërsa në Rinas kishte dalë për ta pritur vetë Kryeministri Edi Rama.

Në orën 19:00 Klinton do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare përpara godinës së Kryeministrisë, ku të pranishëm do të jenë dhe qytetarë të rastit.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-së Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19:05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë Bill Clinton të marrë çmimin e akorduar.

Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-së Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

Për të garantuar sigurinë e tij në vizitën 2-ditore në Tiranë, në terren janë angazhuar rreth 700 efektivë policie.

Gjithashtu në kuadër të planit të masave, prej orës 14:00 deri në 15:30 uniformat blu devijuan qarkullimin e automjeteve me sens lëvizje nga Rinasi në drejtim të ish-sheshit Shqiponja, si dhe në disa akse pranë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.

Të njëjtat masa kufizuese do të aplikohen edhe gjatë së martës, ditë kur ish-Presidenti largohet nga vendi ynë./ KultPlus.com

Të ngjajshme