9 Tetor, 2023 - 1:00 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 9 tetor të vitit 1944, u çlirua qyteti i Sarandës.
Dy luftanije britanike arritën të bombardonin me sukses pozicionet gjermane. Në bashkëpunim me trupat shqiptare dhe me përkrahjen e artilerisë, britanikët depërtuan në pjesën perëndimore të qytetit, ku u përballën me një qendresë të ashpër të gjermanëve, një pjesë e të cilëve u zunë robër.
Sipas informacionit përcjellë radios së BBC-së nga zyra ushtarake britanike, luftimet në rrugët e Sarandës vazhduan deri në orën 10 të 10 tetorit, gjersa i gjithë qyteti bashkë me kodrat dhe portin u spastruan nga trupat armike. Forcat e mbetura të garnizonit gjerman u zmbrapsën drejt Delvinës dhe për disa kohë, praparoja e tyre mbajti një pozitë në fshatin Gjashtë. Në këtë pozicion, britanikët dhe trupat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare bombarduan gjermanët.
Të nesërmen e kësaj dite, më 11 tetor 1944, fshati Gjashtë ra në duart e britanikëve. Në bilancin e luftimeve numëroheshin 600 robër. Marrja e Sarandës i preu rrugën garnizonit gjerman në ngushticën e Korfuzit. Po atë ditë, u njoftua edhe çlirimi i Delvinës./ atsh / KultPlus.com