20 Dhjetor, 2021 - 8:30 pm
Ministria e Kulturës ndau këtë vit për herë të parë çmimin honorifik “Muza”, i cili këtë vit iu dha poetit Petrit Ruka.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh në një reagim se, “si shprehje e mirënjohjes për njerëzit që na e bëjnë jetën më të bukur me artin e tyre, Ministria e Kulturës ndan për herë të parë çmimin honorifik “Muza”. Sepse vepra e tyre do të jetë gjithnjë frymëzuese, pavarësisht jetës fizike”.
Margariti tha se, “ky është një çmim që ndahet nga Ministria e Kulturës, pavarësisht Çmimeve Kombëtare Letrare e që do të kthehet në një traditë jo thjesht dhe vetëm për njerëzit e letrave”.
“Çmimi honorifik “Muza” këtë vit i jepet poetit Petrit Ruka me motivacionin: “Poet i thellësive të shpirtit njerëzor, i dashurisë dhe dhimbjes, që me kalin e bardhë të poezisë tejkaloi çdo kufi kohor e hapësinor; që na mrekulloi me bukurinë e baladës, duke ngjizur traditën te modernia; me rrënjë të ngulura thellë në tokën e të parëve, e kryet gjer në re, në kërkim të hapësirave të reja shprehëse”, u shpreh Margariti.
Poeti dhe skenaristi Petrit Ruka u nda nga jeta në korrik të këtij viti pasi vuante nga një sëmundje prej disa kohësh. Ai i dha artit shqiptar mbi 10 vëllime poetike dhe disa ide të skalitura në kinematografi./atsh/KultPlus.com