10 Tetor, 2022 - 1:34 pm
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka vendosur që Çmimin ‘Nobel’ për Ekonomi ta ndaj në mes të Ben S. Bernanke, Douglas W. Diamond dhe Philip H. Dybvig, për kërkime mbi bankat dhe krizat financiare.
Sipas Akademisë, laureatët e këtij viti në shkencat ekonomike, Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig, kanë përmirësuar ndjeshëm të kuptuarit tonë për rolin e bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare. Një gjetje e rëndësishme në hulumtimin e tyre është arsyeja pse shmangia e kolapsit të bankave është jetike.
Analizat e tyre kanë pasur një rëndësi të madhe praktike në rregullimin e tregjeve financiare dhe përballimin e krizave financiare.
“Gjetjet e laureatëve kanë përmirësuar aftësinë tonë për të shmangur krizat serioze dhe paketat e shtrenjta të shpëtimit,” thotë Tore Ellingsen, kryetar i komitetit për çmimin në shkencat ekonomike.
Çmimi për ekonomi nuk është një prej pesë çmimeve të para që ishin ndarë më 1895, kur u krijua ndarja e Çmimit ‘Nobel’ nga shpikësi i dinamitit, Alfred Nobel.
Çmimi ‘Nobel’ për Ekonomi ka nisur që të ndahet nga viti 1969./ KultPlus.com