30 Nëntor, 2019 - 11:00 pm
Prestigjozja amerikane CNN, i ka kushtuar një shkrim fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Ndër të tjera në artikull thuhet:
“Tani plaga e hapur e popullsisë shqiptare e prekur nga tërmeti po laget nga rreshjet prej motit të keq dhe mavijoset prej temperaturave që kanë rënë befasisht.
Prej goditjes kanë humbur jetën 51 njerëz por ‘kënga sizmike’ ende po shkakton frikë. Shumë njerëz nuk mund të kthehen në shtëpitë që mezi kanë qëndruar në këmbë.
Në mesin e të plagosurve, të paktën 41 janë akoma të shtruar në spitalet e Tiranës dhe Durrësit. Një vajzë, e cila nuk mund të transferohej jashtë vendit për tu kuruar, vdiq sot. Tre të plagosur të tjerë u transportuan për në Itali për të marrë një kujdes të specializuar.
Në Durrës të pastrehët janë sistemuar brenda një shkolle.
Ndërkohë, nga mëngjesi i së premtes Durrësi, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, është goditur nga rreth 600 tërmete, dy prej të cilave kanë qenë me madhësi 5, kështu që situata është ende larg nga stabilizimi dhe në çdo aspekt”. /KultPlus.com