17 Mars, 2020 - 11:49 pm
Në jetën sociale të njerëzve janë anuluar edhe evente apo gëzimet familjare. Edhe pse tradita e ka që nuk kthehet dita e dasmës, Coronavirusi ndërpreu ditën më të rëndësishme të çifteve.
“Di të them që brenda javës u anuluan dy evente që u shtynë për një kohë të dytë. Nuk është pak duke menduar se nuk jemi në një sezon të lartë. Dikush e shtyu për në 12 prill e mbrapa dikush tjetër e ka lënë të hapur këtë pjesë”, tregon Armand Peza, Pronar i Geraldina Sposa.
Çiftet e reja që do të lidhnin kurorë në këtë periudhë kanë anuluar edhe marrjet e fustaneve të nuses. Pra, në këtë situatë izolimi, dasmat nuk janë bërë as në rrethin më të ngushtë familjar.
“Po është reflektuar deri tash, edhe ne si gjithë të tjerët nuk mund të themi që kemi pasur anulime por ka qenë version që klientët kanë kërkuar që ta bëjnë në një kohë të dytë. Si për veshjen e nusërisë, se ato rezervohen ashtu edhe për pjesën e organizimit të festës. Këtë problem e kam patur edhe me njësitë e tjera të shërbimit që mund të jenë ambientet ku organizohen festat që kanë kërkuar të shtyhen në kohë”, tregon Armand Peza, Pronar i Geraldina Sposa.
Njerëzit janë të ndërgjegjësuar për rrezikun që i kanoset. Asnjëri prej tyre nuk do të merrte pjesë në një dasmë në këtë kohë virusi, edhe sikur të ishte familjari i tyre më i afërt.
“Shyqyr zotit nuk kemi por realisht nuk do shkoja. Për të qenë i sinqertë nuk do shkoja se kuptohet që ka lloj lloj njerëzish që nuk është se kanë ndonjë kulturë të madhe në këtë drejtim. Tani është bërë si kulturë që s’po i takojmë më njerëzit , s’po ju japim më dorën dhe pas një bisede dezinfektojmë duart me qëllim që të fitojmë një farë sigurie në këtë pikë”, tregon Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
“E para nuk shkon për të mbrojtur jetën tënde, e dyta nuk shkon për të mbrojtur jetën e tjetrit. Mund të jesh vetë i sëmurë pa e ditur dhe mund të sëmurësh të tjerë. Kështu që duhet të bëhet zbatimi i ligjit , hermetizmi në shtëpi”, tregon Ervin Shijaku, President i Shega Trans. Tp / KultPlus.com