13 Prill, 2020 - 9:22 am
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se sektori i turizmit është një nga sektorët që do të preket, në krahasim me vitet e tjera për shkak të anulimeve të prenotimeve, si pasojë e infeksionit COVID-19 që ka prekur mbarë botën.
Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj u shpreh se po shikohet mundësia ta adresojmë ndikimin në këtë sektor me stimuj të ndryshëm, që nxisin konsumin e brendshëm në fushën e turizmit.
“Jemi akoma shpresëplotë. Situata në sektorin e turizmit mund të adresohet në një periudhë të dytë, në qershor edhe mbështetur në konsumin e brendshëm më shumë se sa te ai i jashtmi, i cili mund të ndihmojë në uljen e regresionit të qarkullimit që ishte parashikuar të kishim”, u shpreh ministrja Denaj.
Ne nuk mund të jemi në të njëjtin nivel, thotë ministrja Denaj, në krahasim me porositë që ishin para se të ndodhte përhapja e COVID-19.
“Nuk mund të presim që situata mbas daljes nga COVID-19, do të kthehet shumë shpejt në të njëjtën nivel siç ishte më përpara, por të paktën ne po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe”, vuri në dukje Denaj për ATSH.
Të jemi të qartë, vijon ajo, që të gjitha bizneset sikurse edhe qeveria do të jenë të prekur financiarisht nga kjo situatë dhe çështja është këtë adresojmë në radhë të parë dhe të arrijmë të zbusim sa më shumë këtë rënie./atsh / KultPlus.com