Covid-19, Kosova merr edhe zyrtarisht 100 milion euro ndihmë nga BE

5 Maj, 2020 - 6:15 pm

Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar propozimin e Komisionit Evropian për të ndarë 3 miliardë euro për t’i ndihmuar shtetet fqinjë për tu përballur me rënien ekonomike gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

“Shtetet fqinje janë partnerët tanë më të afërt. Tani më shumë se kurrë, është absolutisht thelbësore që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë solidaritet në adresimin e ndikimit ekonomik dhe shoqëror të kësaj krize globale”, ka thënë Zdravko Maric, ministri kroat i financave, përcjell Gazeta Insajderi.

Në këtë pako janë përfshirë: Shqipëria me 180 milion euro, Bosnja dhe Hercegovina me 250 milion, Georgia me 150 milion. Jordania me 200 milion euro, Kosova me 100 milion euro, Moldavia 100 milion euro, Mali i Zi me 60 milion euro, Maqedonia Veriore 160 milion euro, Tunisia 600 milion dhe Ukraina me 1200 euro.

Ndihma e BE do t’i ndihmojë këto juridiksione të mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme të financimit të cilat janë rritur si rezultat i shpërthimit të COVID-19. Së bashku me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet do të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për të lejuar që burimet të ndahen në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve dhe për të zbutur pasojat negative socio-ekonomike të pandemisë koronavirus.

Fondet do të jenë në dispozicion për dymbëdhjetë muaj dhe do të shpërndahen në dy këste. Huatë do të kenë një maturim maksimal mesatar prej 15 vjet. Ndihma do t’i nënshtrohet një memorandumi mirëkuptimi (MM), që do të bihet dakord midis secilit vend partner dhe Komisionit.

Teksti do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli përpara se ai të hyjë në fuqi. /Insajderi.org / KultPlus.com

Të ngjajshme