22 Maj, 2023 - 3:30 pm
Prestigjiozja e Mbretërisë së Madhe, “Daily Mail” ia ka kushtuar një artikull kryeqyteti të Kosovës, Prishtinës duke e cilësuar si një vend të mirë për blerje pronash dhe investime kapitale.
Daily Mail shkruan se çmimet e larta të banesave dhe rritja e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar po i shtyjnë blerësit jashtë vendit, pasi ata kërkojnë t’i shumëfishojnë paratë e tyre.
Sipas të dhënave të qeverisë, çmimi mesatar i shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 294,910 £, ndërsa shtëpitë në Londër kushtojnë gati dyfish.
Shtëpitë në kryeqytetin e Anglisë tani janë të tretat më të kushtueshme në Evropë pas Stokholmit dhe Dublinit, thotë këshilltari i pronave, “Your Overseas Home”.
Vlera më e mirë e parasë është në Prishtinë, zbulon hulumtimi i kësaj agjensie. Për 250,000 £ mund të blini një shtëpi me pesë dhoma gjumi me tre banja, një garazh dhe kopsht të madh.Pronat në qytet kushtojnë mbi 600 euro për metër katror, një pjesë e mesatares së Londrës prej 9300 euro për metër katror
Kryeqytetet në Evropën Lindore priren të jenë vendet më të përballueshme për të blerë prona, por studimi e konsideroi gjithashtu Evropën si një kontinent gjeografik dhe Jerevani i Armenisë renditet në vendin e dytë.
Në peizazhin e saj të rrethuar nga mali, me 300,000 euro do të blini një shtëpi të mobiluar plotësisht, me tre dhoma gjumi, me tre banja, një kopsht të madh dhe garazh me tre makina.
Christopher Nye në Your Overseas Home, tha se kostoja e jetesës, rritja e inflacionit dhe normave të interesit e kanë bërë të vështirë për shumë njerëz që të marin vendimin për të blerë shtëpinë e tyre të ëndrrave në MB.
“Të shohësh këto vende që janë shumë më të përballueshme, mund t’i inkurajojë ata që të nisin drejt një stili jetese shumë më të përballueshëm”, tha ai./rtk/ KultPlus.com