16 Tetor, 2021 - 12:00 pm
Më shumë se shtatë vjet pas vdekjes së shkrimtarit të njohur kolumbian Gabriel Garcia Marquez, veshjet e tij do të dalin në ankand për bamirësi.
”Rreth 400 veshje që i përkasin nobelistit të vitit 1982 dhe bashkëshortes së ndjerë Mercedes do të shiten”, njoftoi mbesa e tij, Emilia Garcia për gazetën meksikane ”Milenio”.
”Janë veshjet më ikonike që i përkasin Gabos dhe Mercedesit”, shpjegoi aktorja.
Xhaketa, kravata, këpucë dhe çanta janë ndër artikujt në shitje të Garcia Marquez dhe Mercedes Barcha.
Nga 20 tetori, shtëpia e autorit të “Njëqind vjet vetmi” do të hapë dyert për miqtë e familjes dhe më vonë për vizitorët.
Kostumi i bardhë që Garcia Marquez veshi kur iu dha çmimi Nobel, i quajtur ”liquiliqui” dhe tipik i Venezuelës dhe Kolumbisë, ka qenë në Muzeun Kombëtar të Kolumbisë që nga viti 2003.
Garcia Marquez, një nga autorët më të lexuar të Amerikës Latine, vdiq në vitin 2014 në moshën 87 -vjeçare.
Paratë e mbledhura nga shitja do t’i dhurohen fondacionit ”Fisanim”./atsh/KultPlus.com