Dardan Krivaqa qan para Gjykatës: S’po thom që jam i pafajshëm, po s’di

14 Korrik, 2022 - 10:52 am

“S’po thom që jam i pafajshëm, po s’di”. Kështu ka deklaruar në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit.

Ndërkohë, i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm për veprat që ngarkohet.

Gazetari i T7, Genc Godanci, ka raportuar se Krivaqa është parë duke qajtur.

https://www.dailymotion.com/embed/video/x8cgs1b

Në gjykimin ndaj Krivaqës e Sejdiut, janë parë edhe prindërit e Marigona Osmanit.

Salla e gjykatës është e mbushur me policë.

Ndryshe, para se të fillojë gjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, aktivistet e “Kolektivit Feminist” janë mbledhur para objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku kanë zhvilluar një aksion.

Ato kanë vendosur në objektin e gjykatës pjesë nga aktakuza ndaj Krivaqës dhe Sejdiut.

Në objekt është vendosur edhe një mbishkrim “Ne nuk harrojmë!”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, sipas prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Në fillim të këtij muaji u publikua edhe dosja e plotë e prokurorisë në rastin e Marigona Osmanit, ku përshkruheshin dëshmitë se si 18-vjeçarja ishte dhunuar e më pas kishte ndërruar jetë.

Nofullën e poshtme të thyer, thyerje të brinjëve, thyerje të unazave të qafës, këputje e palcës së qafës, lëndimet të syve, fytyrës dhe pothuajse në çdo pjesë të trupit, janë ato çfarë janë përshkruar në raportin e autopsisë.

Lëndimet e shumta apo siç thuhet në raport ‘poli trauma’, ka bërë që të vihet deri të vdekja e tanimë të ndjerës./Gazeta Express / KultPlus.com

Të ngjajshme