5 Korrik, 2020 - 11:00 am
Juria profesionale ka vendosur që Vendi i parë – Çmimi “Anadrini Folk” (për grupin me tërësinë më të dalluar programore) t`i takojë SHKA “Dardania” – Winterthur, Zvicër.
Nga 20 deri më 25 qershor, u organizua në Rahovec festivali i parë virtual kombëtar i folklorit, “Anadrini Folk 2020”. Në kushtet e pandemisë së koronavirusit, ideja për festivalin dhe ky organizim lindi nga SH.K. A “ANADRINI” nga Rahoveci.
Me të marrë ftesën nga organizatorët, SH.K.A “Dardania” nga Winterthuri, ishte mobilizuar, dhe, ndonëse nën kushtet e pandemisë, kishte vendosur të merrte pjesë me disa pika të filmuara me prezantime, ku pasqyrohen disa nga traditat tona të lashta, bartur edhe këtu në diasporë. Si bartëse e shumë aktiviteteve dhe pjesëmarrëse e disa festivaleve, edhe atij të Gjirokastrës, që është kulmi i festivaleve tona kombëtare, “Dardania” tash e 25 vite ka çfarë të tregojë për punën dhe sukseset e saj.
Pasi ishin grumbulluar materialet filmike të mbi tridhjetë shoqërive, ansambleve, grupeve të ndryshme artistike të folklorit, rapsodë e instrumentistë, thuaja se nga të gjitha trojet tona, ato u finalizuan nën përkujdesjen e jurisë profesionale në përbërje të; Dilaver Kryeziu – kryetar, Ermir Dizdari, Artan Ibërshimi, Ukë Xhema, Fahredin Spahija, Sami Piraj, Jeton Pustina, Zymer Neziri, Shefki Salihu, Bebi Dobi, Vahit Kuçaj dhe Baki Xhaferi, dhe përcaktuan fituesit e edicionit të parë të këtij lloji.
Juria në fjalë ka vendosur që Vendi i parë – Çmimi “Anadrini Folk” (për grupin me tërësinë më të dalluar programore) t`i takojë SHKA “Dardania” – Winterthur / Zvicër.
Ja se çfarë ka shkruar drejtori i festivalit Xhafer Bytyqi lidhur me festivalin dhe çmimet e shumta që u ndanë.
“Një listë e gjatë e çmimeve për t’iu dhënë vlerësimet e merituara të gjithë atyre që merituan të jenë të vlerësuar po e përcjell përfundimin e këtij festivali. Edhe ata që nuk morën vlerësime të drejtpërdrejta, padyshim që sollën program të mrekullueshëm, duke bërë që përcjellësit virtual të festivalit të kënaqen dhe të shprehin admirim për ta.
Videot me program garues arritën që të përcillen nga 2-3 mijë deri në mbi 50 mijë përcjellës virtual, për ta bërë festivalin e parë virtual kombëtar të folklorit Anadrini Folk festivalin folklorik më të shikuar në kohë reale.
Në çdo festival ka gabime edhe pakënaqësi në vlerësime por vlerësimet e jurisë profesionale të festivalit Anadrini Folk 2020, në bazë të përvojës time në organizimin e festivaleve për 15 vite isha në rrethin e ngushtë të organizatorëve dhe për tetë vite isha drejtor i festivalit folklorik “Anadrinia Jehon” si dhe bazuar në zhvillimet e festivaleve tjera ku kam përcjellë dhjetëra të tillë, mendoj se vlerësimet e jurisë profesionale e festivalit të parë virtual Anadrini Folk 2020, janë vlerësimet më të sakta dhe më të qëlluarat.
Prandaj, ndjej kënaqësi për këtë përmbyllje të suksesshme të festivalit Anadrini Folk 2020, njëkohësisht të gjithë fituesit i uroj për çmimet e fituara dhe bashkë me të gjithë pjesëmarrësit tjerë të festivalit i inkurajoj që të kultivojnë edhe më shumë kulturën e bukur shpirtërore të popullit shqiptar, përmes së cilës po ipet një kontribut i pakontestueshëm në zhvillimin e atdhedashurisë tek gjeneratat e reja.
Gjithashtu shpreh kënaqësinë time që festivali virtual Anadrini Folk 2020 ka arritur që të depërtojë në të gjitha familjet shqiptare dashamirëse të folklorit, duke i argëtuar dhe duke i’u lehtësuar ditët e karantinës nga pandemia globale Covid 19”.
Pas ndarjes së çmimeve natyrisht se pati edhe debate dhe analiza të jurisë, shoqërive, shoqatave e pjesëmarrësve tjerë lidhur me idenë, kriteret, pjesëmarrjen, mandej vlerësimet dhe shumë e shumë tema të këtij lloji.
“Jemi shumë krenarë që juria na kanë vlerësuar pikërisht neve, andaj ne ju jemi mirënjohës, edhe jurisë edhe organizatorëve që na kanë mundësuar të marrim pjesë në këtë festival kështu” u shpreh anëtarja e kryesisë Enisa Hoti, për të vazhduar edhe më tutje me ambiciet e mëdha që ka kjo shoqëri për festivale dhe mundësia e kufizuar për të marrë pjesë në to.
Andaj veterani Hamit Shillova që zotëron veglat me frymë, por jo vetëm kaq, zotëron këngën rapsodike dhe veglat instrumentale thuaja se të gjitha, mes të tjerash tha: “Ne, besoj se me punë kemi arrit deri te kjo. Pas kaq vitesh angazhimi e përkushtimi, besoj se e kemi merituar, edhe pse nuk e kemi pritur se do të jemi në vendin e parë, por aty diku”. Ai sigurisht është i lumtur me faktin se kavallet dhe gajdja e tij kishin vulosur vendimin e jurisë.
Padyshim, kryetari i shoqërisë ishte më se i kënaqur me vlerësimin, sidomos për pjesëmarrësit në ato xhirime por jo vetëm kaq, ai shpërndante informacione edhe të rrjedhave tjera të festivaleve të sivjetme, prej nga edhe mund të mbahen aty këtu në Kosovë e Shqipëri edhe pse pandemia ka blloku gjithçka dhe nuk po i dihet momentit.
Si do që të jetë ne vazhdojmë të kultivojmë traditën edhe kështu në kushte të veçanta dhe me pengesa të shkaktuara nga pandemia. Për ne mbetet prioritet që të vazhdojmë edhe më tutje kultivimin, trashëgimin dhe përcjelljen e traditave tona tek brezi i ri që po lind e po rritet në mërgim, përfundoi kështu Shefqet Cakolli kryetar i kësaj vatre kulturore në Winterthur të Zvicrës. Albinfo / KultPlus.com