14 Shkurt, 2025 - 4:00 pm
Shkruan: Vlora Konushevci
Dashnia asht punë. M’falni, por dikush duhet me thanë t’vërtetën! S’asht magji, as dramë, as poezi. S’asht dritë që s’shuhet, as natë që rri pezull.
Me dashtë do me thanë me qenë aty, përditë, përnatë. Me e pa tjetrin n’ditët e tij ma t’kqija e mos me ia kthy shpinën. Me pasë durim kur flakët veniten e me i fry gacave, edhe kur fryma t’pakohet. Nganjiherë asht andërr e butë, si lëkura e nji fëmije. Nganjiherë thikë e mprehtë, që hyn thellë e s’del.
Por shpesh herë asht te gjanat e vogla që s’presin duartrokitje. Me ta mbushë telefonin, me ta afru karrikën, me t’i kujtue ilaçet. Asht “A ke hangër?” Se n’fund t’ditës, s’ka randësi sa të mëdha i kemi andrrat, sa fort mundohemi me ia dalë, me punu, me u rrëzu, me u çu prapë.
Dashnia asht ajo që t’i çel sytë n’mëngjes. Nejse. Mue m’i çel sytë aroma e kafes. Pa kafe s’ka send. Dashnia pra, asht edhe kafe!/KultPlus.com