21 Maj, 2024 - 9:00 am
Kisha Katolike Shqiptare dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kanë shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë në lidhje me një martesë të së njëjtës gjini të celebruar, në Tiranë.
Kisha Katolike distancohet, duke theksuar se personi që merr pjesë në ceremoni, nuk përfaqëson asnjë kishë, por ka marrë një veshje prifti duke abuzuar rëndë.
Sipas Dom Mark Pashkjes, Kisha së bashku me Komunitetin Mysliman dhe të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri janë bashkë kundër atyre që cenojnë vlerat e jetës dhe familjes, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.
Kisha ortodokse në deklaratë thotë se “E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore”.
“Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë.
Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016)”, thuhet në deklaratën e plotë.