8 Maj, 2023 - 12:03 pm
Nga Albert Vataj
“Dasma shkodrane” është jo vetëm një emblemë e galerisë së piktorit, Kolë Idromeno, kjo tablo është ajo puhizë e tamëlt e këndimit të vlerave përfaqësuese të Shkodrës. Përmes kësaj tabloje Idromeno piktor, por po kaq i famshëm edhe si fotograf, skenograf, arkitekt, skulptor dhe muzikant, i gjithëshkëlqyeshmi i spovave arriti të përcjellë përmes kësaj pikture një etapë sa gazmimi aq dhe përfaqësimi të kryeqendrës shqiptare, në ç’farë më vezullimshmëm se sa në atë të dasmës, këtij solemniteti, të cilit ju dha gjithë ajo madhështi, gjithë ai ceremonialitet, gjithë ai sharm dhe finesë që Shkodra e mëkoi ndër qindravjeçarë për ta trashëguar në vitet që do të vinin si një kreshtë e lartë e qytetërimit.
Për veprën e artit antropologjisti amerikan Clifford James Geertz (1926-2006) shkruan se është një mekanizëm i zhvilluar për të përcaktuar marrëdhëniet shoqërore, për të mbështetur rregullat dhe për të forcuar vlerat shoqërore. Sipas tij, kur studiojmë një formë të artit, ne eksplorojmë një ndjeshmëri, e cila në thelb është një formacion kolektiv, pasi themelet e një formacioni të tillë janë aq të gjëra e aq të thella sa është qënësia shoqërore.
Ndjeshmërinë jo vetëm të piktorit, po të një bashkësie të tërë ne mund ta eksplorojmë duke admiruar tablonë ‘Dasma shkodrane’. Nga ajo tablo mësojmë si vepronin rregullat në bashkësinë katolike të qytetit të Shkodrës, marrëdhëniet ekonomike e shoqërore midis fiseve, familjeve, gjinive, shtresave të popullsisë së asaj kohe. Sot ne nuk shohim në tablo atë që shihnin bashkëkohësit e Idromenos, as atë që vetë Idromeno paraqiste në tablonë e tij. Kur admironin një ceremoni dasme, e cila ishte e lidhur me mënyrën e tyre të jetesës, me marrëdhëniet gjinore, me formën e komunikimit midis fiseve, me qëndrimin ndaj vajzës, ndaj djalit, ndaj familjes, ndaj veshjes, emocionet e asaj kohe ishin të ndryshme nga ato që provojmë ne sot. / KultPlus.com