27 Shtator, 2023 - 11:03 pm
Zëvendësministrja Daulina Osmani sot ishte pjesë e panelit të diskutimit me temë “Roli i diplomacisë sportive në konsolidimin e imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare”, i cili u mbajt në kuadër të Kongresit Evropian për Sport dhe Turizëm.
Bashkë me të morën pjesë edhe Ministri i Sportit dhe Turizmit i Polonisë, Kamil Bortniczuk, anëtari i Bordit të Komitetit Olimpik Evropian, Hasan Arat dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar, Eric Saintrond.
Gjatë diskutimit, zëvendësministrja Osmani i dha rëndësi ndikimit të madh që diplomacia sportive ka në diplomacinë ndërkombëtare dhe anasjelltas, duke thënë se rezultatet e shkëlqyeshme të sportistëve dhe të xhudistëve në veçanti, kanë luajtur rol kyç në përfaqësimin e Kosovës para botës.
Ajo shtoi se sukseset e jashtëzakonshme sportive që janë arritur që nga periudha e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, shënojnë paraqitjet e para të shtetit tonë në arenat dhe skenat ndërkombëtare, duke u treguar si mënyra më efektive e çdo lloj strategjie promovuese shtetërore, gjersa përmendi edhe Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si një prej fitoreve më të madha të Kosovës në diplomacinë sportive.
Ndërsa si sfidë nga e cila padrejtësisht vazhdojnë të ballafaqohen sportistët tanë, u përmendën pengesat e shumta që shfaqen nga shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, pasi që vetëm sivjet ka pasur 6 raste të ndryshme të ndalimit apo pengimit të pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në gara ndërkombëtare, duke ua mohuar përfaqësimin e barabartë të shtetit ashtu siç garanton edhe e drejta ndërkombëtare sportive.
Ndryshe, ky është edicioni i dytë i Kongresit Evropian për Sport dhe Turizëm, i cili po mbahet përgjatë tri ditëve (26-28 shtator) në qytetin Zakopane të Polonisë. /KultPlus.com