28 Nëntor, 2023 - 12:25 pm
Në ambientet e mrekullueshme të Klan Arena të shtunën është mbajtur eventi më i madh i modës në botën shqiptare, “Miss Shqiptarja në Botë 2023”.
Ky event mban vulën e organizatorëve të spektakleve të modës dhe bukurisë në Kosovë, Gecjan Fashion Group.
Në këtë spektakël me titullin e bukurisë, u kurorëzua 15 vjeçarja, Dea Grosha.
Dea Grosha, në këtë spektakël u kurorëzua me tre tituj: Miss Prizreni, Miss social-media dhe në fund edhe titullin kryesorë, Miss Shqiptarja në Botë për vitin 2023.
Kurorëzimi i bukurisë për Dea Groshën u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku, ku duartrokitjet e brohoritjet jehuan në sallë.
Bukuroshja Dea Grosha u shpreh tejet e emocionuar pasi ju vendos kurora në kokë dhe përderisa sytë ende i kishte me lot u shpreh për media se këtë çmim ja dedikon nënës së saj e cila e vetme i rriti me shumë mund e sakrificë.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe ishte krejtësisht e papritur nga unë. Emocionet janë të mëdha dhe dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështetën në këtë rrugëtim. Këtë çmim ja dedikoj nënës sime e cila mua, bashkë me motrën, na rriti e vetme me shumë mund e sakrificë por me një dashuri të jashtëzakonshme e cila edhe është frymëzim për ne”, është shprehur Dea teksa tutje ka thënë se të jesh grua në Kosovë nuk është aspak e lehtë por nënat shqiptare janë heroinat e ditëve të sotme.
Dea Grosha tashmë ka karrierën përpara dhe synon të shkelë edhe shumë gara të tjera edhe jashtë trojeve shqiptare. / KultPlus.com