2 Dhjetor, 2024 - 6:20 pm
Me rënien e parë të dëborës për stinën e dimrit në vendet malore alpinistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal kanë nisur frekuentimin e tyre.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga ngjitja e alpinistëve në malin e Gramozit në Kolonjë, ndërsa thekson rëndësinë e shoqërimit të tyre nga udhërrëfyesit e certifikuar nga MTM.
“Dëbora e parë ka sjellë edhe nisjen e aktiviteteve malore, gjithmonë nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar, për të vazhduar një sezon të mbarë turistik dimëror”, shkruan Kumbaro.
Profesioni i udhërrëfyesit, përtej prezantimit të bukurive natyrore e trashëgimive kulturore të vendit, është i rëndësishëm për të ofruar turizëm të sigurt në terrenet me nivele të caktuara vështirësie, ku shoqërimi nga guidat profesioniste është i domosdoshëm.
Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.
Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.
Të pasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe të admirojnë natyrën e rrallë të këtyre majave./ atsh/ KultPlus.com