15 Maj, 2021 - 10:48 pm
Stërvitja “Defender Europe 2021” ka vijuar në një tjetër pikë të Shqipërisë.
Palombarë amerikanë dhe shqiptarë janë zhytur në Gjirin e Dukatit. Ministria e Mbrojtjes ka publikuar pamjet ku shihen se si palombarët amerikanë dhe shqiptarë zhyten në thellësinë e tabanit detar ku ndodhet anija spitalore “PO” e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi u godit nga ushtria britanike.
Bashi (pjesa e përparme e anijes) ndodhet në 16 metra thellësi, ndërsa kiçi (pjesa e pasme) në 37 metra thellësi.
Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stërvitjen e këtij viti DEFENDER-21 të trupave ushtarake amerikane dhe aleatëve të NATO-s. Brigjet shqiptare shfrytëzohen për të parën herë për stërvitje që pas Luftës së Dytë Botërore për zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkimin nga deti./Top Chanel/ KultPlus.com