9 Shkurt, 2023 - 10:44 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi nëpërmjet një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ka treguar arritjet në trashëgimi, kulturë e sport, përgjatë vitit 2022, shkruan KultPlus.
Më poshtë gjeni të plotë arritjet e shënuara si dhe videon e publikuar:
“Lajmet për shkatërrimin e monumenteve kanë qenë pothuajse të përjavshme. U pat normalizuar shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë. Kjo nuk ndodh më. Sot, kemi restaurime në gjithë vendin, plane të menaxhimit, inspektoritate e ligjshmëri, punësim dhe shërbim ndaj komunitetit. Muzetë e Kosovës po funksionalizohen, kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz po merr vëmendjen e merituar shtetërore. Deri para pak vitesh Qeveria as që mërzitej për gjendjen e institucioneve të kulturës dhe për pozitën e artistit. Brenda më pak se dy vitesh, ka pasur veprime që nuk janë ndërmarr asnjëherë më parë. Ndërtesat e kulturës po rinovohen, hapësira të reja për artistët po krijohen, pagat e performuesve janë të dinjitetshme, po vazhdon blerja e veprave nga artistët vendorë, fondi për librin është gjashtëfishuar, ndërsa mbështetja përmes granteve vetëm në vitin 2022 ka qenë mbi 4 milionë euro, e paprecedentë në historinë e pas luftës. Institucionet e kulturës u patën lënë me buxhete të mjerueshme, përveç rritjes së konsiderueshme të mbështetjes financiare. Filmin e shpallëm prioritet shtetëror, ndërsa Teatri, Filharmonia, Baleti e Shota me program në gjithë Kosovën e salla përplot me publik. Operën e themeluam, në proces është themelimi i Muzeut i Artit Bashkëkohor dhe së shpejti Instituti Kulturor i Kosovës. Qendra të reja të kulturës dhe të rinisë në qytete e fshatra, mundësi shtesa për zhvillimin e talentit rinor të Kosovës. Përveç që sportin e patën lënë pa financim adekuat, zyrtarët e partive politike merrnin pozita udhëheqëse në Komitet Olimpik, federata e klube. Për më pak se dy vite, kemi shumëfishuar mbështetjen financiare për sportin dhe sot kemi programe zhvillimore të sportit, sportin në shkolla, programe për fëmijë dhe shëndetin e tyre, ngjarje ndërkombëtare e sportive në vendin tonë. Po e zbatojmë procesin e licencimit për standarde të qeverisjes së mirë, po e ndryshojmë ligjin e sportit, dhe për herë të parë Kosova po bëhet me strategji afatgjate për zhvillimin e sportit. Edhe infrastrukturën e sportit e patën lënë në mjerim, ndërsa ne përveç që po i mbyllim projektet e mbetura përgjysmë, kemi nisur edhe projektet të reja për konsolidimin e infrastrukturës sportive në vend. Puna jonë nuk do të ndalet, reformat tona do të vazhdojnë të sjellin rezultate të prekshme për artistin e sportistin, për të rinjtë tanë.”
/ KultPlus.com