18 Gusht, 2020 - 10:30 am
Shkencëtarët amerikanë thanë se kanë diktuar grimca infektive të koronavirusit deri në një distancë prej 4.8 metrash larg pacientëve të shtruar në spital.
Shkencëtarët thanë se distanca prej 2 metrash e pranuar gjerësisht si normë për distancimin fizik jep një “ndjesi të rreme të sigurisë” dhe mund të bëjë që grupe të mëdha njerëzish të ekspozohen ndaj sëmundjes. Studimi, i kryer në Universitetin e Floridës, nuk i është nënshtruar oponencës nga shkencëtarë të tjerë.
Ndërkohë, një test pështyme për të zbuluar COVID-19 i krijuar nga Universiteti Yale dhe i financuar nga Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) mori të shtunën miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për përdorim emergjence.
SalivaDirect është testi i pestë i pështymës i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për sëmundjen. Ai analizon pështymën e njerëzve që mendojnë se kanë koronavirus.
Testi shihet si më i shpejtë, sepse marrja e rezultatit kërkon më pak se 24 orë. Ai është relativisht i lirë, rreth 10 dollarë, dhe më i thjeshtë, sepse përdor pështymën, pa nevojën e një shtupe hundësh.
Miratimi i testit të ri vjen ndërkohë që numri ditor i testimeve të konfirmuara të koronavirusit të kryera në SHBA ka rënë për herë të parë, megjithë thirrjet e disa zyrtarëve të shëndetit publik dhe atyre federalë për të rritur ndjeshëm testimet.
Disa statistika tregojnë se gjatë muajit gusht, në SHBA u testuan çdo ditë rreth 733,000 njerëz, më pak se muajin paraardhës kur ky numër ishte 750,000.
Rënia mund të ketë lidhje me faktin se është ulur numri i njerëzve që kërkojnë të testohen, pasi numri i rasteve të konfirmuara është stabilizuar pas pikut të arritur gjatë kësaj vere. Gjithashtu, shumë njerëz heqin dorë nga testimi për shkak të kohës së gjatë të pritjes dhe vonesave në marrjen e rezultatit/VOA / KultPlus.com