Del në ankand pasuria e Freddie Mercury

29 Gusht, 2023 - 5:42 pm

Shtëpia londineze e ankandeve ‘Sotheby’ pritet të nxjerrë javën e ardhshme në ankand, mbi 1500 objekte që i përkisnin legjendës së muzikës Freddie Mercury. Bëhet fjalë për një prej ankandeve më të mëdhenj të kësaj shtëpie, me objekte unike që arrijnë vlera prej miliona paundësh.

“1500 objekte që dikur i përkisnin ikonës së rockut britanik, Freddie Mercury dalin në shitje duke nisur nga java e ardhshme, përmes një ankandi të organizuar nga shtëpia e famshme londineze Sotheby.”

Është fjala për një koleksion, ku përfshihen sendet e përdorimit të përditshëm personal, veshje, aksesorë që mbante gjatë performancave, etj. Mes objekteve më të shtrenjta është pianoja e madhe Yamaha, një instrument i vërtetë krijimi, mbi të cilin ai kompozoi mbi një dekadë hite, nga ‘Bohemian Rhapsody’ në Barcelonë. Vlerësimi fillestar për të është 2-3 milionë paund.

Në ankand është edhe dorëshkrimi autograf i Bohemian Rapsody që vlerësohet rreth 800 mijë-1.2 milionë paund, ose piktura e çmuar e Xhejms Tiso, ‘Type of Beauty’ me vlerë 400-600 mijë paund. Në shitje është edhe kitara e famshme akustike Martin D-35, me vlerë 30 – 50 mijë.

Objektet janë ekspozuar në ambjentet e ‘Sotheby’ në Londër që prej fillimit të këtij muaji. Freddie Mercury ndërroi jetë në vitin 1991 në moshën 45-vjeçare./ KultPlus.com

Të ngjajshme