22 Janar, 2025 - 4:19 pm
Dje, gjatë vizitës në Washington D.C., Shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj, dhe Këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof.
Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e poashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët.
Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Nga ana e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Kasanof, u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa nga Presidenca u ritheksua nevoja që Dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke./ KultPlus.com