30 Nëntor, 2019 - 4:00 pm
Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, goditi edhe shkollat në vendin tonë. Nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk jepet një datë, se kur do të rinisë mësimi ne vend. Në mbledhjen e radhës së qeverisë u theksua, se 8 shkolla janë dëmtuar rëndë, e një prej tyre është gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet. Tavani i korridorit në katin e tretë është shembur.
Godina në të vërtetë, nuk u dëmtua nga tërmeti i madh. Në shenjë solidarizimi, fill pas lëkundjes së fuqishme, nxënësit e ”Sami Frashërit” organizuan një fushatë solidarizimi me të prekurit dhe gjithë ndihmat u dërguan në qytetin e Laçit. Fill pas kësaj fushatë u shemb tavani. Aktualisht po punohet intensivisht nga ndërmarrje të Bashkisë së Tiranës për riparimin e tij. Një vendim, nëse godina është e sigurt, për nxënësit dhe mësuesit, pritet të merret në orët në vazhdim.
Shkolla 9-vjeçare ”Hasan Prishtina” në Tiranë është një nga të dëmtuarat. Nga ana e bashkisë së kryeqytetit, konfirmohet që kanë rënë suvatë, ndërsa struktura nuk është dëmtuar. Ministria e Arsimit, sapo na konfirmoi që ky dikaster, po merret me situatën e emergjencës së akomodimit të 16 mijë nxënësve, që nuk dihet, se ku do të zhvillojnë mësim. /KultPus.com