2 Shtator, 2021 - 12:33 pm
Shkruan Ibrahim Berisha
Rrena ishte gjithmonë bashkë me të vërtetën e jo rrallë edhe shumë më e fuqishme se e vërteta. Por ajo ishte më pak publike dhe asnjëherë me legjitimitet të pranuar, sikur që nuk është as sot. Nuk e kishte homogjenitetin, uniformitetin dhe shtrirjen universalizmin që e ka sot, pikërisht në saje të teknologjive informative.
Rrenën është bërë më atraktiv dhe më e gjithanshme. Një pyetje sikur duket më e shpeshtë: a është kjo tash një periudhë e artë për rrenën?
Kritikuesit që flasin për Mbretëreshën e pakontestueshme – rrenën, e drejtojnë gishtin kah mediet, veçmas ato online. Sado me seriozitet dhe shqetësim, duket se ky gisht nuk është duke u drejtuar në pikën e mjaftueshme. Pasi rrena ka ekzistuar gjithmonë dhe ajo ka pasur një mjet të fortë identitar, lajmin dhe tregimin si thashetheme. Akuzuesit e medies, gishtin e tyre drejtojnë edhe nga teknologjia informative, posaçërisht ato që kanë ridimensionuar komunikimin publik përmes rrjeteve sociale.
Thënë thjeshtë, rrenën nuk e zbuluan, as e krijuan mediet.
Rrena ishte gjithmonë bashkë me të vërtetën e jo rrallë edhe shumë më e fuqishme se e vërteta. Por ajo ishte më pak publike dhe asnjëherë me legjitimitet të pranuar, sikur që nuk është as sot. Jetonte ngado. Po nuk e kishte homogjenitetin, uniformitetin dhe shtrirjen që e ka sot, universalizmin, pikërisht në saje të teknologjive informative.
Mori fund gazetaria, ankohen ngado recipientët tradicionalë, ata që nuk e pranojnë lajmin, i cili nuk respekton “normat dhe standardet etike e profesionale”.
Arsyetohen se tashmë secili shfrytëzues i internetit në një hapësirë publike apo gjysmë-publike, mund të plasojë prodhime mediale shkrimore, vizuale a tonike. Mund të plasojnë të pavërteta dhe të vërteta.
Gjithsecili është një medie prodhues lajmi.
Interneti e dha këtë mundësi, ashtu siç e thotë komunikologu, Carsten Reinemann: Sot, një lajm bëhet lehtë dhe në mënyrë subtile. Një kësi lajmi, ndryshe i njohur globalisht si Fake News, edhe mund të jetë kërcënim për të vërtetën. Por, nuk duhet harruar se në tregun medial aq më stimulues bëhet ky lloj lajmi, kur klikimi i tij sjell më shumë para e fitime. Njeriu pothuaj asnjëherë, nuk ka zgjedhur shumë mjete dhe mënyra për të ardhur më shpejt dhe më lehtë tek fitimi. Në një ekonomi tregu edhe informativ, secili klikim në web-faqe është burim fitimi dhe është pjesë edhe e industrisë së reklamës.
Ankesat prapë nuk ndalojnë, po fitohet prej rrenës.
Por, e vërteta gjithmonë rrena ka qenë burim i madh fitimi. Shih e kaluara; mashtrimi, e pavërteta për politikat zyrtare, edhe për medien zyrtare, lajmi i rremë, qe një nga burimet solide propaganduese. Propaganda mbështetej në rrenë, por sillte përfitime të mëdha për
të informuar “drejt popullin”.
Ndryshimi është i madh, mbasi tash pra edhe në shoqërinë e Kosovës, kemi të bëjmë me demokratizimin e rrenës. Formati zyrtar i rrenës shtetërore në komunizëm, monoliteti dhe pozicionimi ekstrem për një të pavërtetë, nuk ka lënë aspak hapësirë për mosbesim. Pluralizmi politik dhe kulturor që ndodh këto vitet e fundit, sikundër kudo edhe në shoqërinë e Kosovës, pasuroi hapësirën publike me pluralizëm rrenash, por edhe pluralizëm mosbesimesh për to. Askush, askend nuk e detyron për të besuar se ajo që është thënë, duhet pranuar plotësisht si e qenë. Mbase ky është një lehtësim kur jetojmë në një botë, në të cilën lumturia nuk buron vetëm nga të vërtetat, por nga të pavërtetat publike që thuhen.
Për të qenë gjithmonë fitues, nuk mjaftojnë vetëm të vërtetat. Dhe në këtë rast, do parafrazuar Hannah Arendt. Rrenat kurrë nuk janë neutrale, janë ftesë për veprim për shkak se ato thirren në emër të të vërtetës.
Bashkëveprimi i njerëzve kështu mund të ndërtohet përmes të pavërtetave, duke u thirrur gëzuar në të vërteta të plota./KultPlus.com