4 Dhjetor, 2020 - 2:13 pm
Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për Nuhi Mavrovqani nga Kamenica për vrasjen e gruas së tij me shufër metalike.
Gjykata atij i ka shqiptuar dënim të përjetshëm, nën akuzat për vrasje të rëndë.
Ai e kishte pranuar fajësinë pjesërisht për vrasjen e gruas së tij, teksa sot aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
Rasti kishte ndodhur më 25 korrik në Kamenicë, teksa tanimë i dënuari e kishte kryer aktin me një mjet të fortë.
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan i akuzuari me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë në kohë dhe në anën e djathtë të kokës, në fytyrë afër syrit , duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse.
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, në përbërje të kryetarit, Zyhdi Haziri dhe anëtarëve Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin N. M.
Kolegji i gjyqtarëve nuk ka gjet ndonjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, por të gjitha rrethanat kanë qenë rënduese, duke marrë parasysh prezencën e fëmijëve në ditën kritike, gjendja e të ndjerës dhe fëmija i porsalindur (një muajsh), kanë dhënë arsye që dënimi të jetë kapital.
Fëmijët e çiftit u morën nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale në Kamenicë. Tre fëmijëve do iu ofrohet edhe një ndihmë sociale nga kjo qendër./Gazeta Expres/ KultPlus.com