1 Korrik, 2019 - 1:42 pm
Në komisionin hetimor për PTK dhe Vala, ish kryeshefi i PTK Agron Mustafa duke folur për procesin e arbitrazhit që ka ndodhur në vitin 2016 dhe i humbur si rast ndaj Z -Mobile, thekson se përpjekjet për mbrojtje kanë qenë maksimale, derisa është pyetur nga deputeti Armend Zemaj përse është zgjedhur një studio ligjore e afërt me kryeshefin e atëhershëm Agron Mustafa për mbrojtjen e PTK-së në Arbitrazh.
Mustafa theksoi se pronari i kësaj studio ka qenë bashkëpunëtor në Aeroport në atë kohë.
Edhe deputeti Liburn Aliu ngriti çështjen e një kompanie pa asnjë përvojë duke u eliminuar 16 kompani të tjerë që kanë marrë pjesë në tenderin për mbrojtje ligjore në Arbitrazh.
Deputeti Armend Zemaj tha se dyshimet e Kuvendit janë se degradimi i PTK-së janë kontratat dhe shpenzimet operacionale për paga dhe qera.
“Ekziston një dyshim i bazuar që përveç neglizhencës në PTK për arbitrazh ka pasur edhe interesim për përfitime të disa njerëzve me anë të kontratave të ndryshme, media dhe OJQ fiktive. Pse keni lidh kontratë pesë vjeçare për 23 mijë euro në vit për objektin në shesh të Prishtinës, i cili ka qenë i uzurpuar. Pse është lidhur dhe është vazhduar kontrata për objektin në Breg të Diellit pronë e ish një komandanti. Kjo qira në Breg të Diellit është paguar 10 mijë euro në muaj”, ka pyetur Zemaj.
Mustafa tha se objekti në shesh është pika më strategjike që ka pasur PTK me 1 mijë metra katrorë. Ndërsa, tha se nuk ka nënshkruar kontratë me uzurpatorë në shesh, por sipas tij, pronar është një slloven dhe për PTK-në është e ligjshme.
Po ashtu edhe kryesuesi i këtij Komisioni Visar Ymeri është shprehur i habitur pse nuk është zgjedhur një kompani serioze për mbrojtjen e PTK-së në Telekom.
Ndërsa, deputeti Milaim Zeka ka pyetur përse ju janë ndarë mjete nga PTK për disa këngëtarë që janë milionerë.
“Një këngëtari është milioner i keni ndarë 6 mijë euro. Blerim Gjoci aktor ka përfituar mbi 120 mijë euro. Po ashtu Klani ka përfituar 1 milion e 200 mijë euro. Portali Insajderi porsa është themeluar ka përfituar para. Keni sponzorizuar televizionin publik, i cili merr para prej publikut”, tha Zeka, duke shtuar se edhe ambasadat e huaja kanë përfituar para, si ajo e Gjermanisë dhe të tjera.
Mustafa duke i thënë Zekës se është shumë simpatik, ka pranuar se ka sponzorizuar videoklipin për një këngëtare me 14 mijë euro.
Ai ka arsyetuar se këto sponzorime kanë ndodhur për promovimin e PTK.
Zemaj ka përmendur emra të këngëtarëve që kanë përfituar nga PTK, sic janë Sabri Fejzulllahu, Ermal Fejzullahu, Tuna, Roberti, Nora Istrefi, etj.
Po ashtu sipas tij, ka përfituar para nga Telekomi edhe shkrimtari Rexhep Qosja. Komisioni hetimor parlamentar ndërpreu punimet për të shkuar në pauzë deri në orën 14:00 me intervistimin e Mustafës.