22 Dhjetor, 2022 - 9:50 pm
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka reaguar pas publikimit të veprave të artit të blerë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai ka kritikuar veprën ‘Dita e Shën Valentinit’ e blerë në vlerë 10 mijë eurosh duke vënë në dyshim nëse kjo veprër përmban art, shkruan KultPlus.
Agusholli përmes një postimi shprehet se po tentohet dhunshëm që të normalizohet seksualiteti i dikujt tjetër, e kjo sipas tij po nxit dhunë psikologjike.
“Për këtë foto janë ndarë 10 mijë euro prej buxhetit të Kosovës. Me taksat tona financohet ky projekt ‘arti’. Absurde është tendenca që dhunshëm me ‘normalizu’ seksualitetin e dikujt. Dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tonë.
Askujt mbi këtë tokë nuk po i intereson çka bëni ju nëpër shtëpitë tuaja. Pse po besoni që keni kaq shumë relevancë?! Shumë zor po i japin disa, e prapë as nuk po i duan as nuk po i pranojnë.
Krejt aparatin propagandistik, fondet dhjetëra milionëshe, edhe rezultati në fund zero. Për disa përshkrimi i punës: Ndjekim fonde! Sqarim për fund: Te unë nuk pinë ujë: cancel kultura, presioni, shantazhi e aq më pak ofendimet,” ka shkruar Agusholli në Facebook./KultPlus.com