Deputetja ukrainase zbulon dhuratën speciale nga Kosova, u punua nga të mbijetuarit e dhunimit seksual

14 Prill, 2022 - 12:49 pm

Deputetja ukrainase, Lesia Vasylenko, një muaj më parë mori një varëse dhuratë të punuar nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të Kosovës gjatë kohës së luftës.

“Këto varëse tregojnë historinë e të mbijetuarve të dhunimit seksual nga forcat serbe, gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë”, është mesazhi që mban qaforja.

Vasylenko thotë se nuk kishte besuar që një muaj më pas rrëfime të tilla do të kishin edhe gratë ukrainase, të cilat së fundi kanë raportuar përdhunimet nga ushtarët rusë në rajonet e pushtuara të Ukrainës.

“Një muaj më parë një koleg nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ma dha këtë varëse të bërë nga të mbijetuarit e përdhunimit në Kosovës. Pak dyshoja se brenda pak javësh do të përballesha me dëshmi të tmerrshme të grave dhe vajzave të Ukrainës të përdhunuara, të abuzuara dhe të ekzekutuara”, ka shkruar në Twitter Vasylenko, transmeton Gazeta Express.

Sot në Kosovë u shënua Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe u zotua se do të vazhdojë mandatin e këtij komisioni. Në këtë takim u shpreh shqetësimi se viktimat e dhunës seksuale vazhdojnë të përballen me stigmë dhe si rrjedhojë të mbijetuarat/it pengohen në realizimin e të drejtës së tyre të garantuar me ligj për të marrë statusin e viktimës./ KultPlus.com

Të ngjajshme