12 Korrik, 2019 - 12:30 pm
Sarandë B. Rugova
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte ndarë një fond prej 15.4 milionë eurosh për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë, por ky projekt tashmë ka dështuar si pasojë e ndërhyrjes së politikës me arsyetimin se nuk kanë gjetur objektin adekuat për vendosjen e kësaj salle, shkruan KultPlus.
Për ketë dështim të institucioneve lokale dhe qendrore ka pasur reagime të shumta nga ana e politikës të cilët gjuajnë ‘gurin’ te njëri-tjetri por, asnjëri prej tyre nuk e pranon fajin e një dështimi të tillë madhor.
Disa nga qeveritarët thonë se këto mjete nuk janë të humbura por do të ridestinohen për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”, mirëpo Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në konfirminin zyrtar nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth kësaj çështje.
Fillimisht është propozuar për rrënimin e mundshëm të ish-objektit të Gërmisë, mirëpo ka pasur reagime nga qytetarët por edhe nga vetë artistët, madje ishte nënshkruar edhe një peticion i cili kërkonte të mbrohej objekti përkatës, pasi cilësohet si një nga objektet më ikonike në kryeqytet.
Ndërsa analisti Shkelzen Maliqi i cili ishte kategorikisht kundër rrënimit të objektit të Gërmisë, tashmë përmes një statusi në rrjetin social Facebook për ketë dështim fajëson Beza Luzhën dhe kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, të cilët nuk zgjodhen ndonjë alternativë tjetër ku do të mund të ndërtohej salla koncertale.
“Besa Luzha dhe lobi që Sallën Koncertale e donte aty ku është objekti i ish Shtepisë së Mallrave “Gërmia” po akuzojnë komunitetin e artistëve figurativë dhe arkitektët se e kanë penguar ndërtimin e Sallës koncertale, pasi që qenka ridestunuar fondi i premtuar i BE-së. Kjo nuk është e saktë. Askush nuk ka qenë kundër sallës, por është kërkuar që të caktohet lokacion tjetër në qendër të Prishtinës . Unë kam argumentuar se “Germia” është objekt me vlera arkitektonike dhe i përshtatshëm për Muze të arteve bashkëkohore, që është po aq i nevojshëm sa edhe salla koncertale. Shpend Ahmeti dhe Besa Luzha kanë insistuar që të rrëzohet “Germia” edhe kur është vënë nën mbrojtje, në vend që të përcaktohen për alternativa. Mundesia per financimin e salles nuk është humbur, por mbetet që të jemi solidar dhe angazhohemi për dy objekte kapitale të kulturës dhe jo të akuzohemi mes veti”, u shpreh Maliqi.
Në anën tjetër pianistja dhe aktivistja Besa Luzha reagoi duke thënë se pikërisht ky reagim e la Prishtinën pa sallën përkatëse.
“Falë këtyre kompetentëve dhe juve që e nisët këtë kundërshtim, 15 milionë shkojnë në Kosovën A. Nuk jemi në garë kush cilin qëndrim e ka pasë, e kush mirë e kush keq. Unë i respektoj opinionet e të gjithë juve që kundërshtuat lokacionin, sigurisht të prirë nga interesa pozitivë në parim, mbrojtja e kujtesës eyj…ato janë vlera të mira. Por fakt mbetet që ky kundërshtim e la Prishtinën pa salllë dhe 15 milionë u humbën ose rrezikojnë të humben. E për fat të keq, kundërshtimin e bënë njerëz që do të duhej të ishin të parët për shtyerjen e projektit përpara, me dashamirësi”, reagoi Luzha.
Ndërsa Yll Rugova, Drejtor i Kulturës po ashtu përmes një statusi në Facebook thotë se ky fond është siguruar me inistim shumë të madh të drejtorisë dhe me ndihmën e Ambasades së Francës, i cili është ndarë për të ndihmuar zhvillimin e kulturës në Kosovë. E veçanërisht për të përmirësuar infrastrukturën shumë të mangët kulturore të kryeqytetit.
Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë pa sallë të operës dhe pa sallë koncertale.
“Mbaj mend sa shumë punë është dashur që fillimisht të sigurojmë ato fonde, e më pas edhe për të përmbushur kërkesat e Komisionit Evropian me komunikim të vazhdueshëm me ta, me punë të thelluar në përzgjedhje të lokacioneve, me ekspertizë lokale e ndërkombëtare, e me bashkëpunim ndërinstitucional dhe komunikim të vazhdueshëm me komunitetin dhe mediat. Më duket e dhimbshme që i gjithë ky interesim dhe entuziazëm i yni dhe i komunitetit tash po shkon huq për shkak të dembelisë që po mbizotëron. Kjo dembeli po e cungon zhvillimin e kryeqytetit jo vetëm në fushën e kulturës, po në të gjitha sferat e saj. Sepse përveç rolit kulturor, salla koncertale kish me ndiku pozitivisht edhe në përmirësimin e infrasturkturës urbane në kryeqytet”, shprehet dejtori Rugova.
Përveç këtyre ka edhe reagime të tjera në vazhdën e tyre, në njërën anë mjaft zhgënjyese ndërsa në anën tjetër debate fajësimi midis figurave të institucioneve pa ndonjë epilog të qartë. /KultPlus.com