2 Shkurt, 2021 - 4:43 pm
Shkrimtari dhe autori i këngëve Agim Doçi ironizon mënyrës si po ndahen titujt e nderit në Shqipëri.
“Janë dhënë aq shumë tituj “Nderi i Kombit”, sa s’kemi më komb. Kush do t’i japë titujt njëherë. E vetmja ministre kulture që ka propozuar tituj kulture ka qenë Arta Dade.
Pastaj, ç’më duhet titulli kur interpretuesit e veprave të mia e kanë marrë atë 7-8 vjet para meje?!”, tha artisti në një intervistë për “Shqipëria live”.
Titujt “Nder i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh” ndahen nga presidenti i Republikës. Së fundmi ka pasur shumë kritika për faktin se shumë artistë i kanë marrë këto tituj, përfshirë këtu edhe këngëtarin e muzikës popullore, Ylli Baka. Ashtu si Agim Doçi dhe të tjerë mendojnë se janë dhënë tituj të pamerituar. Aktorja Zamira Kita thotë se “këto tituj janë bërë aq baltë sa nuk kanë më vlerë”.
Doçi thotë se titullin “Nder i Kombit” nuk duhet të mbetet brenda territorit të Shqipërisë, kur kombi shqiptar është më shumë se kaq. “Kombi është dhe në Mal të Zi, dhe në Kosovë, Çamëri, pse nuk ndajnë tituj edhe për artistët atje”./tch/KultPlus.com