23 Tetor, 2024 - 5:30 pm
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot me rastin e 203-vjetorit të lindjes, arbëreshin e shquar Dhimitër Kamarda.
Kamarda ishte filolog, folklorist dhe studiues i shqipes. Ai lindi në Horë të Arbëreshëvet më 23 tetor 1821. Pati një veprimtari të gjerë në studimin e gjuhës shqipe në shekullin XIX. Ai ishte studiues i folklorit arbëresh dhe njohës i gjuhësisë indoevropiane, dhe ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në çështjen e gjuhësisë shqipe, me veprën e tij kryesore “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” (1864).
Kjo vepër ishte përballja e parë me risitë shkencore të kohës në gjuhësi, mbi studimin diakronik të shqipes, dhe paraqet një tërësi vëzhgimesh në planin historiko- krahasues, për gramatikën dhe etimologjinë e shqipes. Kjo vepër u pasua nga “Appendice alla Grammatologia comparata sulla lingua albanese” (Shtojcë për sprovën e gramatologjisë krahasuese), Prato 1866, e cila së bashku me veprën e tij kryesore “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” risillen nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), (Tiranë 2021), ideuar dhe përgatitur nga Dr. Dhori Q. Qirjazi nën titullin “Dhimitër Kamarda (1821-1881) – Për një shqipe ‘të gjithakushme dhe të gjithakundme’ dhe të tjera vepërza”. Dhimitër Kamarda u shua më 13 prill 1882 në Livorno./atsh/KultPlus.com