17 Nëntor, 2024 - 10:30 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje fantastike nga Mali i Thatë në Pogradec.
“Një përvojë mbi re ose “dy qiejt” që kundrohen nga Mali i Thatë në Pogradec, i cili këto ditë ofron pamje fantastike të liqenit e ku dhjetëra të rinj shijojnë përvojën unike të ngjitjes në mal, duke promovuar këtë aktivitet ekoturistik që i shtohet buqetës së atraksioneve pogradecare”, shkruan Rama.
Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.
Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.
Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshët, e sheshtë dhe me gropa karstike.
Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287 m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet./ KultPlus.com