Dhjetori i festave, atmosferë magjike në qytetet e Shqipërisë

28 Dhjetor, 2024 - 3:28 pm

 Atmosfera festive ndjehet në çdo qytet të Shqipërisë në prag të ndërrimit të viteve.

Prej thuajse një muaji sheshet dhe rrugët e qyteteve të vendit janë dekoruar me pemën e Krishtlindjes dhe dritat vezulluese.

Tirana, Durrësi Korça, Shkodra, Vlora, Berati, Lezha, dhe qytete të tjera me dekoret e tyre festive kanë dhuruar një atmosferë magjike për qytetarët si dhe për turistët vendas e të huaj.

Gjatë ditëve të fundit të vitit në sheshet kryesore të qyteteve po zhvillohen aktivitete të shumta festive, me muzikë live dhe performanca të ndryshme, që do të kulmojnë në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor.

Përgjatë gjithë muajit dhjetor në këto sheshe janë hapur edhe panaire dhe shtëpiza nga bizneset me produktet bio të zonave ku jetojnë, duke i dhënë hov edhe ekonomisë lokale.

Me moton “Shkodra në festë,” qyteti verior ka tërhequr qindra qytetarë në sheshet dhe rrugët e tij. Mbrëmjet në Shkodër janë shoqëruar me muzikë live dhe performanca të ndryshme si dhe aktivitete për fëmijë.

Saranda ka marrë një pamje mbresëlënëse në këtë muaj të fundit të vitit, ku dekoret festive i kanë shtuar bukurinë qytetit bregdetar që tërheq mijëra turistë gjatë gjithë vitit.  Zbukurimet që ndriçojnë qytetin, të cilat përfshijnë fasadat e ndërtesave, rrugët dhe shëtitoren e bregdetit kanë .

Në Vlorë, sheshi pranë Shtëpisë së Pavarësisë është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Edhe në Vlorë, atmosfera festive ka vijuar gjatë gjithë muajit për të kulmuar më 31 dhjetor, me koncertin e fundvitit ku do të jenë të ftuar këngëtarë të njohur të skenës shqiptare.

Qyteti i një mbi një dritareve ka sjellë krijuar një atmosferë magjike, me ndriçimin e qendrës historike dhe urave mbi lumin Osum. Dritat shumëngjyrëshe që reflektojnë mbi ujë kanë shndërruar qytetin në një destinacion të preferuar për vizitorët. Turistë të shumtë vendas e të huaj kanë zgjedhur të kalojnë ndërrimin e viteve në qytetin historik të Beratit. Shtëpizat me drita të krijuara si kuti dhuratash, babagjyshi me karrocën e tij, arushi gjigand si dhe tuneli me drita përgjatë lulishtes, janë kthyer në një nga atraksionet më të preferuara për t’u fotografuar nga turistët.

Ndërkohë edhe në qytete të tjera si Durrësi, Fieri, Lezha, Korçë atmosfera festive ndihet kudo, në rrugët dhe sheshet e mbushura me qytetarë dhe vizitorë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme