29 Gusht, 2022 - 2:50 pm
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në Prishtinë. Pesë persona dyshohet se kanë dhunuar seksualisht një 11 vjeçare. Prokuroria Themelore konfirmoi për Gazetën Insajderi se tanimë ka nisur hetimet për rastin.
Rasti në polici është raportuar nga nëna e viktimës. Ajo ka dëshmuar në polici për tmerrin që ka përjetuar vajza e saj.
Burimet të Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari i moshës madhore që ra në prangat e Policisë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast është Ekrem Rexhepi, 26-vjeçar, kurse i dyshuari tjetër që u arrestua është i mitur, G.R., 16-vjeçar.
Kjo ngjarje e trishtë u zbulua pas denoncimit të nënës së vajzës e cila bashkë me të bijën kanë raportuar në Polici për tmerrin që ka përjetuar ajo për disa orë.
Bazuar në dëshminë e nënës së saj, thuhet se vajza kishte dalë nga shtëpia, të shtunën në orët e mbrëmjes dhe nuk ka pasur asnjë informacion për fatin e saj. Ajo u trondit, kur pas mesnate, vajza u gjet dhe në gjendje të keqe emocionale rrëfeu se çfarë i kishte ndodhur. Para hetuesve dhe zyrtarëve për punë sociale, 11-vjeçarja ka treguar se e kanë dhunuar pesë persona, në disa lokacione të ndryshme, teksa ende nuk dihen detajet të reja.
Ndërkohë për rastin detaje për Insajderin dha zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.
Tutje ajo ka thënë se ndaj rastit në fjalë janë ndërmarrë të gjitha veprimet, por për momentin nuk mund të japin asnjë detaj.
“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka treguar tutje Ulaj.
Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar./ Insajderi / KultPlus.com