21 Shtator, 2024 - 12:30 pm
Dhurata Lazo, Aleksandër Çipa dhe Anila Basha u nderuan nga bashkia e Gjirokastrës me çmimin “Kadare” për kontributin përmes punës së tyre për promovimin e vlerave të këtij qyteti.
“Kadare”, është një çmim mirënjohje, është dashuri për një qytet që flet përmes çdo guri, rrugice dhe çdo kujtimi të ruajtur me aq përkushtim.
Për pianisten Dhurata Lazo emocionet ishin të pashmangshme.
“Jam e emocionuar për këtë pritje të jashtëzakonshme. E nderuar të marr këtë çmim të madh të këtij emri të madh në qytetin tim. Kam emocione të mëdha. Kam performuar në skena ndërkombëtare dhe të tilla emocione nuk i kam pasur më parë. Në Gjermani ku jetoj po marr këtë copëz gjirokastrite dhe do ta mbaj me vete sepse jam shumë krenare që jam gjirokastrite”, u shpreh ajo.
Aleksandër Çipa, një zë i fuqishëm i gazetarisë i shprehu mirënjohje qytetit të gurtë.
“Ky është një çmim që e konsideroj një nderim të madh nga qyteti im, por shndërrohet për mua në një detyrim për të qenë përherë shërbëtor i promovimit të kulturës, trashëgimisë dhe veçanërisht turizmit të Gjirokastrës. Është vlerësim nga qyteti ku unë u rrita dhe prej të cilit mishërova konceptin se është e rëndësishme vendlindja, por rëndësi themelore ka dhe vendrritja”, u shpreh Çipa ndërsa në duar mbante çmimin e tij.
Anila Basha, me një përulësi të thellë, pranoi çmimin “Kadare, me një ndjenjë të madhe përgjegjësie, pavarësisht se nuk është nga Gjirokastra.
“Unë thashë se dhe pse s’jam gjirokastrite, e shoh me shumë përgjegjësi këtë çmim me emër të madh. Jetojmë në një shoqëri ku polarizimi i skajshëm nuk na ka lënë të shohim më të mirën te njëri-tjetri, dashurinë, empatinë dhe respektin. Por, veç gjithë të tjerave dhe ky duhet të jetë mision i medias dhe unë do të vazhdoj ta bëj. Faleminderit Gjirokastra”, u shpreh Basha.
Kjo mbrëmje e organizuar nga kryetari Flamur Golemi i Bashkisë Gjirokastër dhe qendrës “Antigonea” ishte e gjitha për t’u shijuar. “Kadare” nuk është thjesht një trofe. Por, është një çmim mirënjohje, është dashuri për një qytet që flet përmes çdo guri, rrugice dhe çdo kujtimi të ruajtur me aq përkushtim. E në këtë mënyrë, u duk se me nderimin e këtyre tre figurave me kontribut në Shqipëri, Gjirokastra “mori” frymë fort, duke u ndjerë e mbrojtur nga bijtë dhe bijat e saj më të mira./atsh/ KultPlus.com