27 Gusht, 2023 - 6:59 pm
Gazetarit dhe shkrimtarit shqiptar, Diamant Salihut i është dhënë çmimi Raul Wallenberg në Stokholm, shkruan KultPlus.
Ky çmim, i cili iu dha shkrimtarit Salihu, jepet në nderim të diplomatit të ndjerë suedez Raoul Wallenberg, i cili njihet për sakrificën sublime në mbrojtjen e komunitetit hebre në Budapest gjatë viteve 1944-1945.
Salihut çmimi iu dha nga diplomati i shquar suedez, Jan Eliasson, nën motivacionin e “angazhimit të tij të jashtëzakonshëm dhe zërit unik në trajtimin e temës së ndjeshme të dhunës së bandave në Suedi, guximi civil i Wallenbergut vazhdon të jetojë përmes Diamant Salihut, tha ai”.
Diamant Salihu është një gazetar i shquar investigativ me një karrierë të gjatë në mediat më prestigjioze suedeze. Ky nuk është çmimi i parë i tij, ai në vitin 2021 u nderua me çmimin e madh të gazetarisë në Suedi në kategorinë Zëri i Vitit.
Një vit më vonë, në vitin 2022, u nderua me Çmimin e Bernës nga PEN për librin “Tills alla Dor” (Derisa të gjithë të vdesin) që trajton involvimin e të rinjve në krime. Për të njëjtin libër, Salihu është nderuar me çmimin kryesor të vitit 2022 nga Shoqata e Gazetarëve investigativë.
Në këtë ceremoni u ftua edhe Ambasada e Kosovës në Suedi, e cila me krenari mori pjesë në këtë ceremoni./KultPlus.com