19 Gusht, 2020 - 9:58 am
Suada Qorraj
Edicioni i 11-të i “Anibarit” filloj në një formë ndryshe prej herëve tera. Tashmë kinematë, diskutimet e shumë çka tjetër shfaqet në platformën online të këtij festivali. Ky realitet i ri i botës së artit është krijuar si pasojë e vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë për menaxhimin e situatës me COVID-19, shkruan KultPlus.
Diskutimi “Are We Humans, Are We dancers?” solli pikëpyetjen se a jemi duke ndjekur lëvizjet e vullnetit tonë të lirë apo thjesht jemi duke ndjekur hapat e zakonshëm të vallëzimit, në fushën e politikës, jetën shoqërore por edhe cilën do sferë tjetër të veprimtarisë.
Pjesëmarrëset e këtij diskutimi Vjosa Osmani, Leonora Kryeziu dhe Donika Emini sollën para publikut perspektiven e tyre rreth asaj se si mund të ecim në një rrugë të pa trasuar, me mendime e ide tona. Të vallëzojmë nën tingujt e njëjtë, por secili prej nesh me vallen tonë unike.
Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij diskutimi theksoi faktin se në vend që ne të krijojmë melodi të reja, kërcejmë me ritmin e melodive të orkestruar. Sipas saj e njëjta praktikë vlen edhe në shumicën e gjërave që ne bëjmë në jetë.
“E njëjta praktikë vlen pothuajse për shumë gjëra që ne i bëjmë në jetë pra sillemi në mënyra të caktuara sepse ashtu na kanë mësuar në familje dhe në shkollë, veprojmë në publik ashtu si veprojmë sepse ashtu është qoftë rregulli, ligji apo rendi publik. Gjykojmë dhe paragjykojmë nganjëherë sepse lejojmë të na merr përpara mendimi i masës dhe kjo natyrisht shpesh kritikohet mirëpo është deri diku ritmi i zakonshëm i jetës, duke jetuar me një ritëm çmendurisht të shpejtë në kohën tonë”, ka thënë Osmani e cila tutje tha se çdo ditë është sfidë në vete sepse kur ndjek rrugën e trasuar nga dikush tjetër shtegu i jetës mund të duket më i lehtë.
Sipas Osmanit janë pikërisht valltarët që në një moment kanë kuptuar se jo çdo herë duhet të kërcesh sipas koreografisë sepse vallëzimi shijohet vërtetë vetëm kur dominon njerëzorja, kur shpërfaqet emocioni e kur ngadhënjejnë ndjenjat, e si të tillë ata kanë mundësuar të kemi çdo të mirë që e vlerësojmë lartë në shoqërinë tonë.
Ajo tutje tha se është e vështirë të ecësh me ritmin tënd të muzikës në vendin tonë, e sidomos kur je një grua në një profesion si politika. Sipas saj kur ti fillon të ndryshosh koreografinë e cila ka qenë pjesë e jotja deri sot atëherë lufta e të tjerëve kundër teje rritet shumë.
“Përderisa je në ritmin e njëjtë me të gjithë, ke vlerësime të larta por në momenti kur e kupton që koreografia ose idetë e reja në fakt mund të avancojnë shoqërinë shumë më shumë sesa ato pjesë e të cilave ke qenë më herët, dhe insiston në to, lufton në to atëherë edhe lufta e të tjerëve kundër teje rritet në një masë të madhe”, ka deklaruar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq Donika Emini gjatë këtij diskutimi tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider që refuzojnë të ecin në rrugë të patrasuar, sipas saj përshtypjen më të madhe që e ka marrë gjatë kësaj kohe ka qenë nga ana e votuesve që kanë mbështetur këtë.
“Mendoj se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider të cilët kanë refuzuar me ecë në rrugë të patrasume, kanë sfidu sisteme të cilat janë konsolidua për 20 vite sisteme të kapura edhe megjithatë çka më ka lënë përshtypje është që edhe votuesi, qytetari e ka pa dhe e ka mbështetë këtë. Zakonisht në fillim të rrugëtimit shumë pak mbështetesh, në fillim të rrugëtimit kur fillon me e sfidu sistemin, sistemi është më i fortë edhe të mund. Mirëpo në momentin kur del me një fazë më të konsolidume, fillon me gjet mbështetje atëherë veç e sheh që ndryshimi ka filluar edhe ndryshimi ka fillu me u bë me ty”, ka deklaruar ajo.
Drejtuesja dhe panelistja e këtij diskutimi, Leonora Kryeziu u shpreh se ajo çka i bënë përshtypje e sidomos në shkollën politike që ajo udhëheq është fakti që të rinjtë që vijnë nga partitë politike, vijnë me ide të marra gatshëm. Mirëpo sipas saj qëllimi i një shkolle politike është që tu mundësoj këtyre të rinjve që të zhvillojnë individualitetin e tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e pyetur për hapësirën që partitë politike ju ofrojnë të rinjve tha se pjesën më të madhe të të rinjve “hapësira” që u ofrohet në parti politike nuk është ajo e shprehjes së mendimit apo qëndrimit. Sipas saj të rinjtë angazhohen vetëm në kohë zgjedhjesh e më pas lihen anash.
“Pra problemi është që shumica dërrmuese e të rinjve edhe kur u epet “hapësire”, ajo hapësirë nuk nënkupton hapësirë për shprehjen e mendimit, hapësirë për shprehjen e qëndrimit e mbi të gjitha jo hapësirë ku të merret parasysh pastaj mendimi. Pra merren kryesisht si një grup të cilët angazhohen vetëm në kohë të zgjedhjeve dhe pastaj një numër i madh i tyre lihen anash. Pra shumë shpesh nëpër parti politike të rinjtë konsiderohen më shumë si numër sesa si potencial e kjo duhet të ndryshoj si mendësi”, ka deklaruar ajo.
Madje ajo tha që kur merren shembuj vende tjera dhe diskutohet se si kanë arritur të kenë zhvillim të madh ekonomik përgjigjja është e qartë “investo në njerëz e jo në asfalt”.
Gjatë këtij diskutimi edhe pjesëmarrësit patën mundësinë që të shtrojnë pyetje për panelistët dhe të bëhen pjesë e diskutimit. Njëra nga pjesëmarrëset të cilës ju bë i ditur vetëm emri gjatë këtij diskutimi, e pyet Vjosa Osmani se si ka mundësi që ajo ka qenë pjesë e një muzike për dy dekada, madje pjesë e një muzikë që e ka formësuar e tani nuk mund ta dëgjojë më atë muzikë.
Osmani tha: “Përkundrazi Valmira unë nuk e kam asnjë problem që ta dëgjoj atë muzikë, unë jam duke e mbrojtur atë muzikë e cila është ndërtuar për dy dekada, janë të tjerët që kanë filluar valle tjetër, madje kanë filluar valle të rrezikshme. E tash në valle të rrezikshme që janë të këqija edhe për vendin edhe për qytetarët tanë, natyrisht që unë nuk e kam ndërmend me hy”, deklaroi ajo.
Sipas Osmanit pjesa dërrmuese e keqkuptojnë faktin që ajo vetëm po mbanë fjalën dhe e quajnë dele që largohet nga kopeja.
‘Po e përmbyllë më këtë, shumica dërmuese e njerëzve që e keqkuptojnë faktin që unë thjesht po e mbajë fjalën, më thonë kështu, kështu më thonin edhe në vitin 2014 e 2015 e po e përsërisin edhe tash. Më thonin “Delja që ndahet nga kopeja e hanë ujku”, përgjigja ime është e thjeshtë “Unë nuk jam dele mos u bëni as ju dele”, ka përfunduar Vjosa Osmani.
Gjatë këtij diskutimi u fol edhe për faktin se si gratë instrumentalizohen në politikë, si dhe pozitën që kanë gratë në politikë. Gjithashtu penalistët theksuan faktin se sfidimi i sistemit bëhet dyfish më i vështirë kur, sfiduesja është grua e jo burrë. / KultPlus.com